Haki Abazi: Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkuz
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, sot është intervistuar nga Prokuroria në lidhje me deklaratat që ai bëri të enjten për rastin Dehari. Siç raporton gazetari Venhar Isufi, Abazi në një deklarim para mediave refuzoi të japë shumë detaje rreth intervistimit nga prokurori i rastit, por vetëm tha se nuk do të ndalet “deri në realizimin e të drejtave të tij si deputet”.Ai përdori edhe një fjali – “kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, por duke refuzuar të tregojë se kujt po i referohet me shprehjen “palaço”. “Ashtu siç kam marr ftesë nga prokuroria, unë i jam përgjigjur. Prokuroria ka shtruar pyetjet e veta, ka qenë jashtëzakonisht korrekt në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët e tjera janë absolutisht pjesë e Prokurorisë, ashtu siç e kam bërë deklaratën në hollin e Kuvendit. Është çështje e prokurorisë të merret me këtë çështje dhe të realizojë drejtësinë”. “Nuk flas fare, nuk mund të jap info më shumë se janë çështje të hetuesisë dhe prokurorisë. Por ajo që them unë, si deputet dhe qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohen e drejta e fjalës dhe shërbimi në interes të publikut, nuk do të ndalem, që pavarësisht limiteve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, normal mund ta kuptoni që presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme, por ajo që duhet të them është që shkarkimi im si kryetar komisioni vie për shkak të guximit tim që të çelë tema e të shtrojë pyetje kritike për shoqërinë tonë. Por ajo që duhet të kuptoni gjithashtu, është që kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, tha ai.