Halimi për videon e VV-së kundër opozitës: Kurti i izoluar është në rrugë drejt diktaturës

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e ka bërë një postim në rrjetin shoqëror Facebook duke e dënuar videon e publikuar sot të partisë në pushtet.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sot me një video ironizuese, ku flet për veprimet e opozitës dhe në atë video hodhi akuza të rënda ndaj tri partive parlamentare në opozitë të vendit.

Halimi nga LDK ka akuzuar VV-në se edhe tash në pushtet po “vazhdon t’i helmojë qytetarët me gjuhë të urrejtjes.”

“Si në opozitë ashtu edhe në pushtet Lëvizja Vetëvendosje vazhdon t`i helmoj qytetarët me gjuhë të urrejtjes. Në mungesë të rezultateve në ndryshimin e jetës, i kthehen propagandës, mbase vetëm këtë dinë ta bëjnë. Kurrë nuk arritën të zhvendosen nga selia e partisë së tyre, në jetën reale, prandaj nuk qeverisin, por propagandojnë”, ka shkruar Halimi.

Sipas saj, pushteti në këtë formë po shkon drejt ndalimit të mendimit kritik përmes shpalljes së luftës ndaj opozitës.

“Në vend se t’i thërras arsyes dhe rezonit shtetëror – që ta dëgjojë mikun e madh Bill Clinton – dhe ta ndalë këtë marrëzi, Lëvizja e Albin Kurtit vazhdon me video ironizuese e tallëse kundër opozitës. Me këtë hov pushteti po shkon drejt ndalimit të mendimit kritik, duke i shpallë luftë opozitës. Kurti i izoluar është në rrugë ‘krejt e drejt’ në diktaturë!”, ka shkruar Halimi.