Hoti për Kurtin e Osmanin: Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre  

                 Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë nuk janë kurrë të dëmshme për Kosovën.Hoti në një postim në Facebook, thotë se Presidentja i ka shtyer zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese.“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”, shkruan Hoti mes tjerash, ndërsa shton se e kupton që zgjidhje tjetër nuk ka pasur.

Ish-kryeministri përmend 4 shtatorin 2020, ku siç thotë ai, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pati pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa e quan veprim strategjik këtë situatë, ndryshe nga ajo e presidentes Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve.Në fund të shkrimit të tij, Hoti i quan mashtrues Kurtin dhe Osmanin, dhe se sipas tij ata bëjnë gjithçka për pozitat e tyre.

Statusi i plotë:

                  Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për KosovënMë 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë. Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri. Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. – Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre.