Hulumtuesi britanik: Pjesëtarë të UÇK-së u stërvitën nga CIA, MI6 dhe BND

Ishte viti 1996 kur shërbimi sekret amerikan, CIA, ai britanik MI6 dhe shërbimi sekret zviceran vendosen kontaktet e para me pjesëtarë të UÇK-së. Ish-presidenti Hashim Thaçi ka qenë aleat i kryeministrit britanik Tony Blair dhe në kontakte të vazhdueshme me të dhe me ministrin e jashtëm Robin Cook, gjatë luftës së Kosovës, ka shkruar hulumtuesi britanik i çështjeve ushtarake dhe të intelegjences, Mark Curtis në revistën Declassified UK.
Sipas tij, gjatë vitit 1998, shërbimi amerikan CIA dhe ato britanike dhe gjermane ndihmuan UÇK-në në luftën kundër forcave serbe.
“Në një moment, në fund të vitit 1998, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së iu afrua MI6 me detyrën për të armatosur dhe trajnuar UÇK-në, raportoi gazeta Scotsman. Një burim i lartë ushtarak britanik i tha gazetës: MI6 nënkontraktoi operacionin me dy kompani britanike të sigurisë, të cilat nga ana e tyre iu afruan një numri ish-anëtarësh të regjimentit 22 SAS. Më pas u hartuan listat e armëve dhe pajisjeve të nevojshme për UÇK-në. Operacioni i fshehtë thuhet se u financua nga CIA, ndërsa shërbimi sekret gjerman, (BND), ofroi armë dhe trajnime”, ka shkruar Curtis.