I dënuari nga Suhareka gjendet pa shenja jete në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është regjistruar mbrëmjen e së premtes brenda Burgut të Sigurisë së Lartë (BSL) në Gërdoc të Podujevës, ku një i dënuar është gjetur pa shenja jete.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se bëhet fjalë për E. G., i lindur më 37 vjeçar, nga fshati Shirokë i Suharekës, i cili dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur brenda ambienteve të burgut.

Rasti është raportuar më 31 janar 2026, rreth orës 22:30, nga zyrtarë të Shërbimit Korrektues. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë intervenuese, hetuesit nga Stacioni Policor Podujevë, si dhe ekipet emergjente.

Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor i Burgut të Sigurisë së Lartë, si dhe nga ekipi i Emergjencës së Podujevës.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila ka udhëzuar që rasti të kualifikohet si “Trup i pajetë” dhe “Hetim mbi vdekjen”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia rajonale e Forenzikës dhe Mjekësia Ligjore, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimeve, trupi i pajetë është tërhequr dhe dërguar për obduksion, me qëllim të sqarimit të plotë të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente hetimore, ndërsa hetimet vazhdojnë.