Ish-zëdhënësi i NATO-s: Trupat amerikane në KFOR e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Trupat amerikane në KFOR e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së BardhëNëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa ushtarake në një vend, kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij shteti, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Ai thekson rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë që në mënyrë SHBA-ja të mbahet e angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale.

“Trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë”, thotë Shea në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se nuk pret që presidenti amerikan të tërheqë trupat nga Evropa. Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë.

KFOR-i në Kosovë – që është garantuesi i tretë – i ka rreth 4.600 pjesëtarë, prej tyre 600 janë trupa amerikane.

Shea shpjegon se numri i forcave amerikane në Kosovë nuk paraqet barrë për buxhetin e Pentagonit por promovon nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti.

“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. E dini, NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe evropianët, realizuan fushatën ajrore në vitin 1999. SHBA-ja dhe Evropa punuan së bashku për të sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë pas vitit 1995. Dhe, sigurisht, KFOR-i ka qenë aty tashmë për më shumë se një çerek shekulli. Kështu që ka qenë një histori e madhe suksesi për shkak të këtij partneriteti transatlantik. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Evropë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël. Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit”, tha ai.

Shea shton se Pentagoni promovon një nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti dhe parandalimi gjithashtu, duke parandaluar agresionin kundër Kosovës.

“Prandaj, shpresoj shumë që ato forca amerikane të mbeten. E dini, ndoshta evropianët do të duhet të paguajnë më shumë për këtë. Nuk e di, siç thashë, sepse Trump është shumë i fokusuar te çështjet financiare. Por trupat, trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa në një vend, ata kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij vendi dhe të luajnë një rol në diplomacinë e rajonit gjithashtu. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të kesh atë praninë e dukshme të SHBA-së për të mbajtur SHBA-në të angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale gjithashtu”, thotë ai.

Diskutimi rreth trupave amerikane në Evropë është rritur në fillim të këtij viti pasi zyrtarë të lartë në administratën e re në SHBA u bënë thirrje evropianëve që të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me deklarata të tillë që evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në Evropë të zgjasë përgjithmonë.

“Dhe për NATO-n, po, ka disa njerëz, jo shumë në qeveri, por në lëvizjen më të gjerë të Trumpit që janë skeptikë ndaj NATO-s. Por deri tani, presidenti Trump nuk ka bërë thirrje për të braktisur NATO-n. Ai ka qenë kritik ndaj aleatëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje, sipas mendimit të tij, dhe ai ka bërë disa komente herë pas here që ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë ata aleatë që nuk shpenzojnë 2% të PBB-së për mbrojtje. Por sot, 23 nga 32 aleatët shpenzojnë 2% ose më shumë për mbrojtje, dhe ky numër do të rritet. Kështu që mendoj se presidenti Trump do të mbrojë së paku shumicën e aleatëve të NATO-s, sepse shumica e aleatëve të NATO-s do të përmbushin objektivin e shpenzimeve”, u shpreh Shea për KosovaPress.