Islam Ukimeri nga PDK, asamblisti më i votuar në Kosovë.

Islam Ukimeri, kandidat për Kuvendin Komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka shënuar një rezultat historik në zgjedhjet lokale në Prizren, duke marrë mbi 1,500 vota personale.

Me këtë numër të lartë votash, Ukimeri është bërë kandidati më i votuar në Prizren, por edhe asamblisti më i votuar në nivel të Kosovës, jo vetëm brenda PDK-së, por edhe ndër të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës.

Ky sukses cilësohet si konfirmim i vizionit dhe përkushtimit të Islam Ukimerit ndaj qytetit të tij, si dhe reflektim i një fushate të ndërtuar mbi vlera, profesionalizëm dhe bashkëpunim.

“Ky është rezultat i punës sonë të përbashkët, i besimit tuaj dhe i përkushtimit tim ndaj qytetit që e dua. Faleminderit nga zemra të gjithë votuesve për këtë mbështetje historike dhe faleminderit kryetarit Shaqir Totaj për mundësinë e dhënë për të qenë pjesë e listës së PDK-së,” – ka deklaruar Ukimeri pas publikimit të rezultateve të para.