“Jam i dërguar i profetit”, “Më ka detyruar shërbimi informativ rus…”, avokati tregon se çfarë i tha dyshuari për vrasjen e nënës së tij
“Më ka detyruar shërbimi informativ rus”, “Jam i dërguar i profetit”, “E kam shpëtuar shqiptarinë” dhe “Jam Skënderbeu i ri”, janë fjalët e vetme që i dyshuari për vrasjen e nënës së tij në Pejë ia ka thënë avokatit të tij mbrojtës, Asdren Mekaj.Këtë e konfirmoi avokati Mekaj, teksa shtoi se gjendja mentale dhe shëndetësore e klientit të tij është e rëndë.Për këtë arsye ai tha se nga Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që 30-vjeçarit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.“Dy herë ka tentuar Prokuroria që ta intervistojë klientin tim, por nuk ka mundur për shkak të gjendjes së tij të rëndë mentale dhe shëndetësore. Për arsye të mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes meje dhe të mbrojturit, përveç që më pengon mua të ofroj mbrojtje efektive, në përputhje me Kodin e Etikës dhe në përmbushje të të drejtës fondamentale që e gëzon çdo person i dyshuar për një krim, pavarësisht kësaj unë thellësisht besoj se është shumë e nevojshme që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik”.Tutje, avokati për Telegrafin bëri të ditur se nga prokurorja e rastit, në seancën gjyqësore të shtunën ka marrë konfirmim se një ndër veprimet e para që do të bëjë do të jetë shqyrtimi i kërkesës për dërgimin e të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë njoftoi të shtunën se të dyshuarit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar.Sipas gjykatës, i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.Tutje, thuhet se pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata vlerësoi se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve. “Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, thuhet në komunikatën për media.Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë tha se është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me këtë vrasje të rëndë që ndodhi të premten mbrëma në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë.Vrasja e 58-vjeçares ka tronditur vendin dhe ka nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.