Kapen mbi 2 kilogramë marihuanë, tre në pranga

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar në flagrancë për veprimtari të lidhur me shitblerjen dhe posedimin e substancave narkotike, si pjesë e zbatimit të planit operativ “Sezoni veror 2025”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më 16 korrik 2025, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Prizren kanë vërejtur një veturë të dyshuar në të cilën ndodheshin dy persona. Gjatë vëzhgimit, njëri prej tyre i ka dorëzuar një sasi substancë narkotike një personi të tretë, i cili ndodhej në një veturë tjetër të parkuar afër.

“Pas këtyre veprimeve hetuesit policorë kanë arrestuar tre të dyshuarit nga të cilët dy të dyshuarit me veturën e parë paraprakisht kishin tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes, me ç’rast kanë goditur dy vetura të parkuara ku kanë shkaktuar aksident me dëme materiale,” thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, janë kryer bastisje në shtëpitë e dy prej të dyshuarve. Nga bastisjet dhe kontrolli në vendin e ngjarjes janë sekuestruar:

substancë narkotike, e dyshuar e llojit marihuanë, me peshë 2 kg e 358 gramë, e ndarë në doza për shitje (me vlerë të vlerësuar rreth 11.000 euro në tregun ilegal);

para të gatshme në vlerë prej 115 euro;

një peshore elektronike;

qese dhe foli najloni për paketim të substancës narkotike;

dy telefona mobilë;

një veturë me targa vendore.

“Personat e dyshuar të përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit dy të dyshuarit ndalohen për 48 orë, ndërsa ndaj të dyshuarit të tretë në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti për posedim të substancës narkotike nga neni 269 i KPRK-së në procedurë të rregullt,” përfundon njoftimi.

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për bashkëpunim nga qytetarët në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, sidomos gjatë sezonit veror kur rreziku për shpërndarje dhe trafikim është më i lartë