Katër vdekje brenda 24-orëve në Kosovë, policia nis hetimet

Katër raste të vdekjeve janë raportuar gjatë ditës së 8 gushtit në Kosovë, në rrethana të ndryshme dhe në lokacione të ndryshme të vendit.

Në tri prej rasteve, prokurori ka urdhëruar obduksionin për të sqaruar shkakun e saktë të vdekjes.

Në fshatin Batushë të Graçanicës, rreth orës 18:00, është gjetur i vdekur një person i gjinisë mashkullore. Viktima ishte pa shenja jete në momentin kur është gjetur dhe mjekët vetëm kanë konstatuar vdekjen. Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në një tjetër ngjarje tragjike, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, një femër kosovare humbi jetën pasi dyshohet se ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese. Rasti është raportuar në orën 16:33, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me aksident apo ndonjë rrethanë tjetër të dyshimtë. Trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Në orët e mesditës, në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, një mashkull ka humbur jetën pasi është rrëzuar aksidentalisht nga një lartësi. Sipas policisë, vdekja është cilësuar si aksidentale dhe trupi i viktimës është dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore, me vendim të prokurorit.

Ndërkohë, një tjetër trup i pajetë është gjetur në një fushë të hapur në fshatin Bellanisë të Malishevës. Viktima është mashkull kosovar, dhe rasti është raportuar si vdekje e dyshimtë, për të cilën po zhvillohen hetime. Trupi është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejme.

Policia është duke hetuar rastet.