Kërquki rrëfen se si ndodhi sulmi ndaj Valon Sylës: E kanë goditur me orë, komplet këmishën e ka pasur me gjak

Leonard Kërquki, gazetar dhe prezantues i emisionit “Pressing” ka rrëfyer kronologjikisht ngjarjen e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Gjithçka ka nisur nga një dakordim mes gazetarëve pas përfundimit të debatit në T7, përfshirë këtu Kërqukin dhe Sylën, që të takohen bashkë te Bregu i Diellit, që sipas Kërqukit, e bëjnë pas çdo debate televiziv, shkruan gazeta online Reporteri.net.Kur kishte mbërritur te vendtakimi, gazetari Kërquki thotë se e kishte parë një veturë duke ecur mbrapa, ku në të gjindeshin sulmuesit, dhe se ai ua kishte lëshuar rrugën pasi po lëviznin me shpejtësi. “Kemi përfunduar debatin. Shumicën e rasteve, pas debateve takohemi me kolegë gazetar, të debateve të tjera. Kësaj radhe e lam të takohemi në Breg të Diellit. Valoni me Ilirin, me veturën e Ilirit kanë vazhduar për atje. Unë me veturën time jam nisur pas pak. Atje kur kam shkuar e kam parë një veturë që është duke ecur mbrapa, që kishte qenë vetura e këtyre sulmuesve. Unë ua kam lëshuar rrugën, sepse mos me ua pas lëshu rrugën, skishin pas kah me dalë. Ata ikën me shpejtësi”, ka rrëfyer Kërquki në T7.Kur është afruar te lokali ku supozohej të takoheshin, ai tha se e kishte parë një tollovi aty afër, ku më vonë mësoi se kishte ndodhur shkaku se Valon Syla ishte sulmuar nga tre persona.“U afrova tek lokali dhe e pash tollovi. E telefonova Ilirin duke menduar që ende s’ka arritur, për t’i thënë se paska diçka, e po ndërrojmë agjendë. Por Iliri më ka tregu që janë aty dhe që e kanë sulmuar Valonin. Komplet këmishën e ka pasur me gjak. Ka qenë një pamje trishtuese, shokuese me e pa në atë gjendje Valonin”, ka shtuar tutje.Ai tha se kolegu tjetër, Ilir Mirena, nuk ishte me Valon Sylën kur u sulmua. Sipas Kërqukit, Sylën e kanë goditur me orë në kokë, e cila aktualisht po mbahet si evidencë në polici.“Kanë qenë tre persona. As Iliri s’ka qenë afër kur e kanë sulmu. Iliri e ka parkuar veturën, dhe pasi e ka marrë jaknen e ka parë që tre persona e kanë sulmuar Valonin. E kanë goditur me orë, ia kanë carë kokën. Ora është në Polici. E ka edhe dorën e majtë të lënduar. Kjo është pak a shumë ajo çfarë ka ndodhur”, ka rrëfyer Kërquki.Ndërkohë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se policia ka identifikuar tre sulmuesit, dhe se po vazhdojnë përpjekjet për arrestimin e tyre. /Reporteri.net/.