KOHA T’ I THËRRASIM MENDJES/Shkruan; Kumrije Avdyl SHALA.poete e gazetare

Në shoqërinë tonë po vërehet një dallim i madh mes atyre që ndërtojnë karrierë përmes punës dhe përkushtimit, dhe atyre që përfitojnë pozita pa meritë profesionale e morale. Ky fenomen është bërë i rrezikshëm sepse prodhon deformim të vlerave dhe krijon një realitet ku pozita, fama dhe pushteti fitohet shpesh përmes rrugëve të gabuara.

Në kohën kur ka qenë e nevojshme të investohej në arsim dhe përgatitje profesionale, shumë individë kanë zgjedhur rrugë të shkurtra. Kjo ka sjellë në pushtet njerëz pa kompetenca, të cilët, të mbështetur nga struktura politike, marrin pozita që nuk i meritojnë dhe dëmtojnë shoqërinë. Fitimi i famës apo karrierës përmes degradimit moral nuk është sukses; është iluzion që e kompromenton vendin dhe profesionistët e vërtetë.

Njohja e një individi në shoqëri duhet të vijë ose nga aftësia intelektuale dhe profesionalizmi, ose nga puna e ndershme e shumëvjeçare. Kur fama fitohet përmes korrupsionit, imoralitetit apo nënshtrimit ndaj kanaleve të errëta, atëherë kemi të bëjmë me cenim të rëndë të vlerave shoqërore. Shitja e moralit, nderit, gjuhës, kulturës apo shtetit për një pozitë, titull apo mirënjohje, nuk është arritje. Është rënie.

Ky problem është përhapur edhe përmes partive politike, të cilat shpesh emërojnë individë joprofesionistë në pozita të rëndësishme. Këta persona, pa përvojë dhe pa përgatitje, jo vetëm që nuk kontribuojnë në zhvillim, por shpesh bëhen shembulli më i keq i sjelljes publike. Mosrespektimi i etikës profesionale, mosnjohja e kodit të sjelljes dhe abuzimi me pozitën zyrtare janë bërë shqetësime të përditshme.

Shpesh, qytetarët janë dëshmitarë të sjelljeve të pahijshme të zyrtarëve publikë, qoftë në ambiente të punës, qoftë në hapësira të përbashkëta. Në vend që të jenë model për shoqërinë, ata shpesh shfaqen si shembull i mungesës së kulturës, disiplinës dhe përgjegjësisë. Në një mjedis ku institucionet nuk ndërmarrin masa ndëshkimore ndaj zyrtarëve të tillë, qytetarët humbin besimin dhe krijohet një kulturë e pandëshkueshmërisë.

Në një rast të thjeshtë të përditshëm, të gjithë kemi hasur situata ku individë me pozita të larta shfaqin sjellje të papranueshme në ambiente publike: zhurmë të tepruar, duhanpirje në vendet e ndaluara, shpërfillje të normave të mirësjelljes. Këto sjellje nuk janë të vogla; ato tregojnë qartë nivelin e ulët të përgjegjësisë shoqërore dhe profesionale të atyre që duhet të jenë shembull.

Shoqëria jonë ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, edukatës familjare dhe emancipimit shoqëror. Siç thotë një fjalë e vjetër: “Dardha bie nën dardhë”. Kur prindërit janë të shfrenuar, fëmijët rriten pa orientim dhe rrezikojnë t’i përsërisin të njëjtat sjellje të gabuara. Prandaj, reagimi i shoqërisë duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur, duke raportuar devijimet dhe duke kërkuar përgjegjësi.

Institucionet kanë detyrimin ligjor dhe moral të ndërhyjnë në mbrojtje të rendit, etikës dhe interesit publik. Megjithatë, kur vetë institucionet janë të kapura nga individë joprofesionistë, mbetet e qartë se dështimi nis nga lart. Përgjegjësia e parë duhet t’i takojë zyrtarit publik, dhe vetëm pastaj qytetarit.

Demokracia nuk është shfrenim; është përgjegjësi. Dhe kur kjo përgjegjësi mungon, siç thoshte miku im Meti Muhamet Morina: “Demokracia vret.”

Ajo na vret ngadalë, përditë, përmes keqmenaxhimit, përmes prishjes së vlerave, përmes mungesës së kulturës dhe profesionalizmit.

Shkrimi im nuk është kritikë e njerëzve, por e dukurive që po dëmtojnë shoqërinë tonë. Ishte një thirrje ndërgjegjësimi ndaj nivelit të ulët të përgjegjësisë në postet e larta dhe ndaj degradimit moral që po përhapet gjithnjë e më shumë.

Është koha t’i thërrasim mendjes. Është koha të kthehemi te puna, morali dhe profesionalizmi.

Sepse një shoqëri që nuk respekton vetveten, nuk mund të ecë përpara.

Nga poetja, gazetarja

Kumrie Avdyl Shala ./QendraPress/