Komuna e Prizrenit në projekt-buxhet parasheh projekte për tri parkingje të mëdha.

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit pas dëgjimeve publike të zhvilluara me qytetarët për planifikimin buxhetor kanë paraparë projekte për tri parkingje të mëdha në pjesët e ndryshme të qytetit.

Në këtë mënyrë synohet që të zgjidhet një problem, që prej vitesh shoqëron qytetarët dhe vizitorët e qytetit të vjetër.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka bërë të ditur se fillimisht do të realizohet studimi i fizibilitetit për këto projekte.

“Ajo që është risi për buxhetin e vitit të ardhshëm ka të bëj me parkingjet, për të cilat është paraparë të bëhet fizibilteti dhe të fillon puna në këto projekte”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se çështja e parkingjeve është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve, raporton Telegrafi.

“Situata aktuale imponon që Komuna me parapa hapësira të reja për parkingje”, ka deklaruar Gashi.

Sipas zyrtarit të lartë komunal, një parking i madh është paraparë të ndërtohet në kuadër të objektit të ri të Komunës, që planifikohet të realizohet në lagjen “Bazhdarhane”, në ngastrën përballë Qendrës sportive.