Konjufca: Raportet me Ramën janë lënduar, me Kurtin do të takohet së shpejti edhe nëse jo sonte

                  Kryeparlamentari Glauk Konjufca është deklaruar për media pas takimit që pati me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.Konjufca ka folur për raportet e Ramës me kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se raportet mes tyre s’janë të acaruara, por “të lënduara”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Ai tha se raportet janë lënduar prej anulimit të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, por jo aq shumë sa që të mos e takojnë fare Ramën. Sipas Konjufcës, Kurti e Rama do të takohen së shpejti. “Nuk është një acarim i raporteve ashtu sic po e quani ju i raporteve, aq sa të mos takohen fare…Unë do ta kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive, por jo aq të lënduar sa të mos e presim fare z.Rama…Natyrisht se kjo do të rregullohet së shpejti, ata do të takohen mendoj së shpejti edhe nëse jo sonte”, ka thënë Konufca para gazetarëve.Konjufca ka thënë se ka folur me Ramën për zhvillimet e fundit në vend.“I shpjegova z.Rama se ne jemi vendosur në këtë pozitë pa dëshirën tonë. Këtu  Serbia me veprimet e veta na ka vendosur para këtyre dy opsioneve sepse kërkush nuk i përjashtoi kryetarët e komunave që atje ishin. Kryetarët e komunave me urdhër të Beogradit dhanë dorëheqje dhe pastaj ajo pjesë e territorit mbeti vakante në kuptimin kushtetues dhe institucional”, ka thënë Konjufca. Konjufca tha se marrëveshjet mes dy vendeve po nënshkruhen.“Element i sotëm që ka dashur të përçojë Qeveria e Kosovës ka qenë një porosi minimaliste. Ministrat i nënshkruan marrëveshjet…Krerët më të lartë të shtetit e pritën. Janë dakorduar, marrëveshjet i kemi por ishte dëm i madh që s’u bë në mbledhjen e qeverive. Ishte ide e kryeministrit (Kurtit) që kjo të kalojë sot kështu. Mirëpo edhe z.Ramën e pritën figura më të larta shtetërore. Po të kishte diçka shumë shtetërore kundër tij nuk do ta prisnim edhe ne”, shtoi ai. Pos Konjufcës, Rama ka takuar sot edhe Presidenten Vjosa Osmani. Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që fillimisht të mbahet mbledhja e qeverive./Reporteri.net