Korrupsioni moral e politik dhe besnikëria e përkohshme i mundëson Kurtit të bëj qeverinë:- Gjeneral Hisen BERISHA,analistë politik

Në shoqërinë tonë ekziston një kategori personalitetesh kontraverse që kanë deputetë personalë në Kuvendin e Kosovës, s’ka rëndësi se cilës parti apo filozofie politike i përkasin.

Këta deputetë nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, por interesin e individëve që i kontrollojnë.

Votën e tyre e trajtojnë si mall tregu, që shitet dhe blihet varësisht nga çmimi dhe momenti politik.

Pikërisht ky korrupsion moral e politik është ai që i ka mundësuar Albin Kurtit të formojë e të mbajë qeverinë, dhe që pritet t’ia mundësoj formimin e saj – jo përmes bindjes apo vizionit, por përmes blerjes së besnikërisë së përkohshme.

Një shpresë mbetet votimi i hapur – sepse vetëm në atë rast qeveria Kurti 3 nuk kalon. Votimi i fshehtë, përkundrazi, i garanton asaj mbështetjen e aleatit të tij politik – Listës Serbe – dhe hap terren për manipulime e spekulime mbi ndonjë votë të fshehtë nga subjektet shqiptare apo nga komunitetet joshqiptare.

Në këtë kuadër, një rol të posaçëm po e luajnë partitë tjera politike, të cilat, në vend që ta sfidojnë modelin e tij autoritar, po ia mundësojnë Kurtit mbijetesën politike përmes infuzioneve me koalicione në nivel të pushtetit lokal dhe afrimeve të qëllimshme për bashkëqeverisje, duke u bërë paterica të një pushteti që vetë e kanë denoncuar.

Në vend të betejës politike për ndryshim, po i përshtaten pushtetit ekzistues, duke ia zgjatur jetën stërkeqjes politike.

Kjo sjellje e partive opozitare përkon me një moment kritik në politikën e jashtme të Kosovës.

Sepse derisa diplomacia amerikane ka bërë të qartë se nuk e sheh më Kurtin si partner të besueshëm – ngjashëm siç i ndodhi dikur Sheshelit në Serbi, të cilin e izoluan politikisht, partitë tona po e trajtojnë atë si potencialin e vetëm politik.

Në vend që të afrohen me qëndrimet amerikane e euroatlantike, ato po e forcojnë izolimin e Kosovës, duke e normalizuar marrëdhënien me një qeveri që është e vetmja e përjashtuar nga mbështetja strategjike e SHBA-ve.

Ironia e këtij momenti është se të njëjtët liderë, që dikur akuzonin Kurtin për lidhje me strukturat serbe e ruse, sot e mbështesin në emër të interesit për pushtet.

Të njëjtit që në vazhdimësi Kurti i ka akuzuar si të bashkërenduar me Beogradin, sot e mbrojnë dhe e justifikojnë.

Ndërkohë që SHBA-të e shohin si rrezik për interesat e tyre gjeostrategjike dhe për vet stabilitetin kushtetues të Kosovës, këta liderë po i japin mbështetje politike një njeriu që synon, me vetëdije, ta zhbëjë rendin kushtetues të shtetit që kurrë nuk e ka pranuar si të tillë.

Ai i përdor institucionet dhe Kushtetutën jo për të ushtruar sundimin e ligjit, por për t’i degraduar dhe për ta shtyrë vendin drejt një defunksionalizimi institucional.

Dhe më e rrezikshmja është se ky projekt autoritar po merr përkrahje në popull, duke u shndërruar në një pandemi politike që ushqehet nga mashtrimi dhe zhgënjimi.

Kur idetë destruktive marrin përkrahje popullore, ato kthehen në epidemi politike që gërryejnë vetë themelet e shtetit.

Në këtë mënyrë, idetë e sëmura politike po kthehen në pandemi shoqërore, sepse po ushqehen nga përkrahja popullore dhe nga heshtja e atyre që duhej të mbronin Kushtetutën, demokracinë dhe shtetin./QendraPress/