Kosova vuan nga mungesa e anesteziologëve, QKUK-së i duhen edhe 80 të tillë

Vetëm 45 anesteziologë janë të angazhuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët duhet të kujdesen për 40 njësi punuese dhe 34 salla operative. Krahas mungesës, institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen edhe me largimin e këtij stafi, qoftë në klinikat private apo edhe jashtë Kosovës.Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv, Gazmend Spahija, ka thënë për Ekonomia Online se aktualisht në QKUK nevojiten edhe 80 anesteziologë. Ai ka thënë se me këtë numër kaq të vogël, angazhohen në 40 njësi punuese.“Për momentin në QKUK i kemi 45 anesteziologë të angazhuar në total. Këta 45 anesteziologë janë të angazhuar në 40 njësi punuese aty ku ka nevojë për anestezion; i kemi 34 salla operative aktive që mundohen me u mbulu edhe 6 njësi që ne i themi internistike, ku kryhen edhe gastroskopitë, kolonskopitë. Mandej në Radiologji, ku kryhet brahioterapia, rezonanca magnetike, fëmijët të cilët kanë nevojë për anestezion. Ne me këtë numër jemi të angazhuar në këto 40 njësi të cilat mundohemi me i mbulu”, ka thënë Spahija.“Po sipas llogaritjeve që kemi bërë ne në kolegjiumin e Klinikës së Anestezionit duhen 120 anesteziologë. Po ashtu tentojmë që asnjë sallë të mos mbete pa anesteziologë, se gjatë kësaj periudhës të fundit kohore kemi edhe shtim të shërbimeve në QKUK, ky shtim i shërbimeve nuk po mundemi ne me e ndjekë, kemi klinika të cilat i kanë 4 salla operative, të cilat ne nuk po arrijmë t’i furnizojmë t’i delegojmë, 4 anesteziologë të njëjtën kohë, ne tentojmë që prej atyre 4 sallave së paku 50 për qind e tyre të punojnë, mundohemi të sigurojmë së paku 2 anesteziologë në sallë”, u shpreh Spahija.Ai ka treguar edhe numrin e anesteziologëve nga sektori publik. Shkak për këtë po del të jetë paga e ulët, teksa pret që me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, trajektorja e largimit të tyre të ulet.“Po vetëm vitin 2022 neve na u kanë larguar 11 anesteziologë, domethënë ka qenë një vit ku kemi pasur një vit shumë të madh të anesteziologëve, një është pensionuar, një fatkeqësisht ka ndërruar jetë, kështu që ne në total prej 2020-ës kur kemi pasur vetëm largimin e parë të kirurgëve, kemi mungesë prej 23 anesteziologëve duke i përfshi edhe anesteziologët të cilët janë pensionuar apo edhe ata dy kolegët të cilët fatkeqësisht kanë ndërruar jetë”, u shpreh tutje ai, teksa thotë se nuk ka asnjë anesteziologë të papunë në Kosovë.

“Për deri tani e kemi 7 specializantë të cilët e kanë ndërprerë kontratën e punës, kanë dalë jashtë, prej 44, 4 specializantë të anestezionit nuk kanë ardhur fare, nuk janë lajmëruar fare, domethënë vetëm 40 prej atyre vetëm na u kanë larguar, largimi jashtë Kosovës është kryesisht largim i specializantëve, përndryshe specialistët të cilët largohen prej QKUK-së dalin krejt në sektorin privat”, tha ai.