Krasniqi: Kurti s’guxon ta kthejë Kosovën në diktaturë, do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme 

                                     Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kërkesat e sindikatave janë legjitime. Pas takimit me kreun e SBASHK-ut, Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet t’i kthehet dialogut, të gjejë zgjidhje për punëtorët që janë në grevë dhe të merret me kërkesat e tyre.Krasniqi tha se nëse deri në fillim të javës së ardhshme Qeveria nuk ekzekuton pagat e muajit gusht, do t’i kthejnë deputetët në Kuvend për të iniciuar seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.“Ne kërkojmë që t’i kthehet Qeveria dialogut të mirëfilltë, t’i thërras sindikalistët për një marrëveshje dhe t’i realizojë pagat e atyre që janë duke u penalizuar. Nëse nuk ndodh deri në fillim të javës së ardhshme, ne do iniciojmë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do iniciojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera që mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend. Le ta din Albin Kurti që kurrë nuk do të guxojë dhe as nuk do të mund ta kthejë Kosovën në diktaturë”, tha ai. Krasniqi tha se qasja e Qeverisë është e papranueshme dhe se sjellja e saj është arrogante.“Dyert e shkollave më 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti, nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit. Kurti i ka pasur të gjitha mundësitë që me dialogim t’i ndihmojë mësuesit tanë që t’ua lehtësojë barrën. Mospagesa është vepër penale, shkelje ligjore. Sot qeveria i kanë privuar rreth 45 mijë familje prej pagave të tyre sepse nuk ua ka ekzekutuar pagat e muajit gusht. Kjo është vepër penale”.