Kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniq: Mungesa e ujit të pijes problemi kryesor për ne, të na ndihmojë Qeveria
Autor: Blendi Gashi
Mamusha është një nga komunat e vendit që përballet me mungesë të madhe të ujit të pijes. Ky problem ekziston prej vitesh, dhe ende nuk ka gjetur një zgjidhje.Kryetari i kësaj komune, Abdulhadi Krasniq, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net thotë se këtë problem ja ka paraqitur edhe presidentes Vjosa Osmani e cila para disa javësh ishte në Mamushë, ndërsa kërkon nga kryeministri Albin Kurti, që qeveria që ai udhëheq ta ndihmojë në realizimin e këtij projekti.Krasniq në këtë intervistë tregon edhe për raportet e tij me kryeministrin Kurti, për punët që synon t’i realizojë deri në fund të këtij viti dhe ato deri në fund të mandatit, si dhe tregon pse duhet vizituar kjo komunë.
Lexoni intervistën e plotë me kryetarin e Mamushës, Abdulhadi Krasniq, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.
Javë më parë për vizitë në komunën tuaj ishte presidentja Vjosa Osmani. Çfarë diskutuat konkretisht? Çfarë keni kërkuar nga e para e shtetit?
Me Presidenten u diskutua jeta e grave dhe të rinjve dhe ecuria e projekteve, sidomos për punët e qytetarëve të komunës së Mamushës. Prej Presidentes kërkuam edhe mbështetjen për sistemin e ujit të pijshëm se siç e di edhe krejt Kosova, e vetmja komunë në vend është Mamusha që nuk ka ujë të pijes.
Kur pritni ta zgjidhni problemin e ujit të pijes? Sa keni punuar në këtë drejtim?
Po shpresojmë që vitin e ardhshëm mund të nis projekti për furnizimin e Mamushes me ujë të pijes. Në këtë drejtim jemi duke punuar qe pesë vite, ende nuk kemi mundur ta përfundojmë këtë projekt që është jetik për banorët e komunës tonë.
Ju si kryetar komune si i keni marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti? A keni ndonjë porosi të veçantë për të?
Si çdo kryeministër i mëparshëm, edhe me kryeministrin Albin Kurti kemi marrëdhënie të njëjtë, nuk e kemi asnjë problem, përveç që kërkojmë që të mbështetet projekti i ujit të pijes. Asnjë qeveri, dhe as kjo e tanishmja nuk na ka mbështetur në këtë drejtim.
Qeveria Kurti na ka premtuar se do të na ndihmojë, por deri tani nuk ka diçka konkrete.
Cilat janë premtimet që keni përmbushur gjatë tetë muajve të këtij mandati? Pra,çfarë punë keni kryer që ja vlen t’i përmendni?
Nuk kemi pas edhe premtime të shumta për shkak të buxhetit të limituar. Ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është drejt finalizimit, dhe pritet të përfundohet në fund të këtij viti.
Cilat janë projektet afatgjate që synoni t’i përmbyllni deri në fund të mandatit tuaj?
Primare për ne si komunë është të përmbyllim projektin e sistemit të ujit të pijes, pastaj sistemin e ujitjes së tokave të Mamushës, sistemin elektrik, sheshin e qytetit, lapidarin për të rënët e Mamushës në luftën e fundit të Kosovës.
Banorët në Mamushë merren shumë me bujqësi, a janë dëmtuar këtë vit nga reshjet e shiut, dhe sa gjejnë përkrahje nga shteti?
Për katër vitet e kaluara çdo qeveri i ka mbështetur bujqit e komunës tone për dëmet që u janë shkaktuar nga vërshimet dhe presim që kjo të ndodh vazhdimisht, sa here që ata dëmtohen.
Për fund, pse duhet të vizitohet qyteti i Mamushës? Përmend 3 vende që ju sugjeroni vizitorëve?
Mamusha është hambari (koshi) i Kosovës në bujqësi dhe pemëtari. 75 % e serrave të Kosovës janë në Mamushë.
Të gjithë qytetarët e Kosovës, por jo vetëm, nëse duan të shohin nga afër se si zhvillohet bujqësia, duhet të vijnë të vizitojnë Mamushën.
Pastaj vend tjetër që ja vlen të vizitohet është Lapidari i Qanakalase.
Kurse kemi edhe shumë vende tjera që ja vlen të vizitohen në Mamushë, dhe i bëjë thirrje të vijnë të vizitojnë komunën tonë. /Reporteri.net/.