Kur diplomatët i bëjnë dëm stabilitetit-Shkruan:Gjeneral Hisen BERISHA

Deklarata e ambasadorit gjerman në Kosovë, z. Rohde, e cila kualifikon zhvillimet e fundit institucionale si “taktika bllokuese”, nuk i shërben aspak stabilitetit politik dhe institucional të vendit. Përkundrazi, ajo ndikon në tensionimin e mëtejmë të situatës duke e favorizuar haptazi një palë, ndërkohë që injoron kompleksitetin e rrethanave dhe përgjegjësitë që ndajnë më shumë se një aktor në këtë krizë.

Një vlerësim diplomatik duhet të ruajë balancën dhe të udhëhiqet nga parimet e paanshmërisë dhe respektimit të proceseve të brendshme demokratike të një vendi sovran. Duke përdorur një etiketim të tillë si “taktika bllokuese” pa e emërtuar qartë se cilët janë subjektet që i aplikojnë këto taktika dhe në çfarë forme, ambasadori Rohde rrëshqet në një diskurs të njëanshëm dhe potencialisht të dëmshëm për kredibilitetin e përfaqësimit diplomatik që ai bart.

Kosova është një demokraci në zhvillim, por me përvojë të mjaftueshme politike për të kuptuar se pa një ndarje të qartë të përgjegjësive dhe pa një gjykim të drejtë të sjelljes institucionale të të gjitha palëve, nuk mund të ndërtohet as stabilitet i qëndrueshëm e as legjitimitet demokratik. Për më tepër, kjo deklaratë tingëllon si mbështetje indirekte ndaj sjelljeve të papërgjegjshme politike, të cilat në vend të dorëheqjes zyrtare dhe respektimit të mandatit kushtetues, përpiqen të manipulojnë situatën për përfitime të brendshme.

Është për të ardhur keq që një përfaqësues i një shteti mik dhe aleat të Kosovës, siç është Gjermania, lëshon deklarata që më shumë mjegullojnë sesa ndriçojnë procesin politik dhe kushtetues të vendit tonë. Qytetarët e Kosovës, /institucionet dhe përfaqësuesit e tyre politikë meritojnë më shumë se kaq: meritojnë respekt dhe qasje të barabartë, jo ndërhyrje selektive që nxisin më shumë polarizim sesa zgjidhje./QendraPress/