Kur hija e dështimit takon dritën e guximit:-Shkruan :Mrs Nazmije GASHI, psikologe

Shumë ëndrra shuhen para se të lindin, jo nga mungesa e mundësive, por nga një pengesë e padukshme që rri brenda nesh: frika nga dështimi. Është ai zë i brendshëm që zgjohet në çastet e vendimit dhe pëshpërit: “Po sikur të mos ia dal? Po sikur të më gjykojnë? Po sikur të turpërohem?”

Në thellësinë e shpirtit, kjo frikë ushqehet nga plagë të brishta: perfeksionizmi që kërkon përsosmëri të paarritshme, ankthi që i fryn pasigurisë dhe vetëvlerësimi i ulët që e barazon një gabim me paaftësinë.

Kështu, dështimi merr përmasa më të mëdha se realiteti dhe na bllokon në hapin e parë. Por dështimi nuk është armik. Është një mësues i heshtur, ndonjëherë i ashpër, por gjithmonë i ndershëm. Ai na kujton se rënia nuk është fundi, por fillimi i një force të re. Përmes tij ndërtohet rezilienca, aftësia e brendshme për t’u ngritur sërish, më të qartë, më të fortë, më të vendosur.

Shoqëria shpesh idealizon suksesin e shpejtë dhe të pastër, duke harruar se çdo arritje e vërtetë bart në vetvete gabime dhe rikthime. Në një klimë të tillë, shumë të rinj heqin dorë nga ëndrrat e tyre përpara se t’i provojnë, të trembur se nuk janë “mjaftueshëm të mirë”.

E vërteta është se dështimi nuk mbyll rrugë, por na mëson si të ecim. Pyetja nuk duhet të jetë: “Po sikur të dështoj?” por: “Po sikur të mos e provoj kurrë?”

Humbja më e madhe nuk është rënia, por dorëzimi para nisjes. Guximi nuk është mungesë frike; është aftësia për të ecur përpara, edhe kur frika na shoqëron në çdo hap. Çdo hap, sa i vogël qoftë, është një fitore mbi dyshimet tona. Çdo rënie na mëson dhe na afron më pranë ëndrrave, duke na dhënë guximin t’i ndjekim./QendraPress/