KUR HIJET BËRTASIN MË FORT SE DRITA –Shkruan;Bashkim HOXHAJ,analist politik.

Ata që heshtën kur flitej me armë, tani flasin më fort se kujtimet. Kanë kaluar 26 vjet nga çlirimi i Kosovës. Një epokë e plotë, ku shumëçka u ndërtua, por edhe shumëçka u harxhua, përfshirë edhe kujtesën. Por ajo që po bëhet gjithnjë e më e qartë, më e dhimbshme dhe më e padurueshme është: se më zhurmuesit, më ankestarët, më kërkuesit, më të pakënaqurit… janë ata që në vallen e madhe të çlirimit, mezi hodhën ndonjë hap.
Pjesën më të madhe të kohës qëndruan të strukur, për të mos thënë indiferentë, ndërsa të tjerët të kequshqyer, të lodhur, të lënduar, të pafurnizuar e me gjumë të pamjaftueshëm që ofrojnë kushtet e malit në rrethana lufte e të ekspozuar në çdo çast rrezikut për jetë.
Nuk është çudi, të shumtë që vërtet rrezikuan, humbën gjymtyrë, humbën shokët … sot janë më të heshturit. Jo nga frika natyrisht, por nga dinjiteti. Është e neveritshme kur sheh se sakrifica është përdhosur nga interesi personal. Kur sheh se flamuri po bëhet dekor për komoditet.
“Revolucionarët” e rinj revoltohen vetëm kur u preket interesi personal, fama apo reklama. Më duket është faji atyre që po heshtin e që nuk do të duhej të heshtnin.
Sepse heshtja u ka lënë hapësirë të tjerëve që nuk e njohin turpin.
-A ka ardhur koha të mos vazhdohet të heshtet përballë hijeve që zhurmojnë?
-Ndoshta po.
Përndryshe, narrativa mbi të kaluarën do të shndërrohet në një dosje të harruar, e cila gradualisht do ta humbasë relevancën e përdorimit. Brezat e ardhshëm do të mësojnë gënjeshtra, falsifikime, tjetërsime dhe përvetësime nga “dëshmitarët” që qëndruan larg arenës ku ndodhnin fitoret dhe humbjet, sakrificat dhe flijimet.
Procesi i çlirimit të Kosovës nuk ka ndodhur për tri ditë, për një javë, për një muaj apo për një vit! Ka qenë një rrugëtim i gjatë e i larë me gjak, me dhimbje e me përkushtim. Këtë realitet historik nuk ka të drejtë ta ndryshojë askush./QendraPress/