Ky është organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares në Shkup

Ljupço Paleski-Palço është organizatori kryesor i dy kidnapimeve, i cili sipas informacioneve fillestare të MPB-së së Maqedonisë së Veriut ka qenë edhe vrasësi i Vanja Gjorçevskës.

Këtë e theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili të arratisurin e cilësoi si monstër, shkruan Klan Maqedonia.

Sipas tij, Palço është larguar nga Maqedonia për në Beograd, më pas në Bullgari, dhe se ende janë duke u përcaktuar të gjitha aspektet.

Ai u largua nga vendi më 30 nëntor.

“Organizatori dhe ekzekutori kryesor që sipas dëshmive të deritanishme ka vrarë me armë të miturën më datë 27.11, diku rreth orës 10, i frikësuar nga provat se mund të vijë policia, është larguar nga vendi. Po ndjekim gjurmët e tij”, tha Spasovski.

Prokurori kryesor i Shkupit, Gavril Bubevski, tha se pas hapjes së hetimeve për Paçlo, do të ketë një urdhër ndërkombëtar.

“Në këtë moment jemi në linjë pa asnjë rezervë, autorët e këtij akti duhet të dalin dhe të dënohen për atë që kanë bërë”, theksoi Bubevski.

Sipas tij, dy nga të dyshuarit kanë dëshmuar se informacionin për lëvizjen e vajzës e kanë mësuar nga Palço, i cili e kishte atë informacion nga babai i 14-vjeçares.