Laboratorë të rinj në tri shkolla ,të komunës së Prizrenit

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj,e bashkëshoqëruar nga zyrtari Reshit Kushaj, ka bërë të ditur se sot, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), janë përuruar laboratorë super modernë të shkencave në tri shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në komunë.
Laboratorët e rinj janë vendosur në shkollat: “Nazim Kokollari”, “Haziz Tola” në Prizren, si dhe “Dy Dëshmorët” në fshatin Piranë.
Këto hapësira të reja janë ndërtuar sipas standardeve më të avancuara dhe do të shërbejnë për zhvillimin e orëve të biologjisë, fizikës dhe kimisë në mënyrë inovative dhe praktike.
“Tanimë nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë në laboratorë modernë, që u krijojnë kushte për një proces mësimor më cilësor dhe bashkëkohor”,u shpreh znj. Veselaj- Gutaj.
Sipas saj, ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë të investimeve në laboratorët shkencorë nëpër shkollat e komunës, me synim rritjen e cilësisë së arsimit dhe unifikimin e bazës didaktike në të gjitha institucionet arsimore.
Ky hap shihet si një investim i rëndësishëm për të përgatitur më mirë gjeneratat e reja në fushat e shkencës dhe teknologjisë, duke ndërtuar ura ndërmjet teorisë dhe praktikës në mësimdhënie.