Lajthitja e Kurtit, ngre alarmin për dështimin e protokollit të sigurisë shtetërore-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA

Biseda e komprometuar e Kryeministrit nuk është vetëm një gafë individuale, por një mesazh i keq politik që mund të dëmtojë Kosovën në planin afatgjatë.

Deklaratat e Albin Kurtit, veçanërisht ato me tendencë përçmuese ndaj përfaqësuesve amerikanë si Richard Grenell dhe qasja e tij ndaj administratës aktuale të SHBA-së, mund të kenë pasoja serioze për raportet e Kosovës me aleatin e saj kryesor.

Shembuj si përplasja e Presidentit ukrainas Zelensky në Shtëpinë e Bardhë tregojnë se raportet e personit kur është bartës i përgjegjësisë institucionale, me administratat amerikane janë jetike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mbështetjen që një lider merr.

SHBA-të janë partneri strategjik më i rëndësishëm i Kosovës, dhe çdo retorikë e papërgjegjshme që vë në pikëpyetje përkushtimin e tyre ndaj vendit tonë mund të ndikojë negativisht në mbështetjen politike dhe diplomatike që marrim.

Ky incident është veçanërisht shqetësues duke pasur parasysh se z. Kurti nuk ishte personalitet i favorizuar nga administrata aktuale në SHBA, në zgjedhjet e fundit, ku përfaqësues të afërt të Presidentit Trump bënë thirrje për të mos e votuar atë, duke e cilësuar si antiamerikan dhe refuzues të nismave amerikane.

Dështim i protokollit të sigurisë shtetërore

Fakti që një mashtrim i tillë ka ndodhur tregon një mungesë serioze të filtrave institucionalë dhe një neglizhencë të skajshme nga kabineti i kryeministrit. Kjo ngjarje ka ekspozuar mungesën e protokolleve të sigurisë për komunikimet e nivelit të lartë dhe tregon se Kosova është e ekspozuar ndaj manipulimeve të huaja. Serbia, Rusia dhe faktorë të tjerë armiqësorë mund ta përdorin këtë për të dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të krijuar përçarje me aleatët.

Ky nuk është vetëm një dështim i Kryeministrit si individ, por i gjithë ekipit të tij dhe institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe protokollet shtetërore. Një bisedë e tillë nuk duhet të ishte realizuar pa verifikim të dyfishtë nga shërbimet inteligjente dhe zyrtarët përkatës.

Masat që duhet të ishin marrë

Për të parandaluar incidente të tilla, duhej të ishin zbatuar masa si:

– Protokolle të qarta të sigurisë dhe verifikimit për çdo komunikim ndërkombëtar, sidomos me liderë të huaj.

– Përdorimi i kanaleve të sigurta të komunikimit për bisedat e nivelit të lartë.

– Këshillim dhe trajnim për lidershipin shtetëror mbi rreziqet e luftës hibride dhe mashtrimeve të tilla.

– Koordinim më i ngushtë me shërbimet inteligjente për të identifikuar rreziqet në komunikimin e zyrtarëve të lartë.

Nëse këto masa do të ishin zbatuar, ky incident do të ishte parandaluar pa u kthyer në një skandal publik dhe diplomatik.

Pa/përgjegjshmëria në qeverisje

Ky incident është një dëshmi e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë në qeverisjen aktuale. Nuk bëhet fjalë thjesht për një mashtrim të zakonshëm, por për një dështim të plotë të sigurisë institucionale dhe një ekspozim të mentalitetit paranojak të Kryeministrit ndaj opozitës dhe ndërkombëtarëve.

Një lider shteti nuk duhet ta shohë opozitën si armiq, e aq më pak ta krahasojë atë me Rusinë dhe Serbinë. Kjo është një përpjekje e rrezikshme për të delegjitimuar kundërshtarët politikë dhe për të ndërtuar një narrativë ku çdo kritikë ndaj qeverisjes etiketohet si komplot.

Po aq shqetësuese është mënyra sesi ai flet për përfaqësuesit amerikanë. Pavarësisht mendimeve personale për ish-emisarë tashmë zyrtarë të lartë në administratën Trump, një Kryeministër nuk mund të përdorë një gjuhë që krijon distancë dhe përçarje në raportet me SHBA-në. Kosova nuk mund të përballojë luksin e përkeqësimit të marrëdhënieve me aleatin e saj më të madh, sidomos në një kohë kur sfidat rajonale dhe ndërkombëtare janë gjithnjë e më të ndërlikuara.

Kjo situatë është një dëshmi e një qeverisjeje të papërgjegjshme, ku mungesa e disiplinës dhe e protokolleve bazike e ekspozon shtetin ndaj rreziqeve të mëdha. Ky incident duhet të shërbejë si një alarm i qartë se Kosova ka nevojë për një qeverisje më serioze dhe një qasje më të përgjegjshme në komunikimin diplomatik dhe shtetëror./QendraPress/