Latifi: Thesari i Shtetit po i sakaton komunat, Qeveria nuk po u jep zgjidhje sfidave të shkaktuara nga kontrata kolektive

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në mbledhjen e gjashtë të Kuvendit Komunal, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me pasojat që po shkakton kontrata kolektive në financat komunale dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se shumica e komunave janë prekur rëndë nga procedurat përmbarimore dhe mungesa e fleksibilitetit buxhetor pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë.
“Nga 38 komuna, janë 35 komuna që kanë zvogëlim të numrit të banorëve. Zvogëlimi i numrit të banorëve dhe aplikimi qysh i praktikës që buron nga shifrat që ka nxjerr ASK-ja, e ka krijuar një situatë. Janë formula që burojnë nga ligji që ne nuk mund t’i ndryshojmë. Por Qeveria ka mundur të bëjë plotësim-ndryshimet e ligjit për financat publike dhe përgjegjësinë. Nuk e ka ndryshuar”, tha Latifi.
Ai shtoi se i kishte ngritur këto çështje edhe gjatë debateve me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Granteve. Edhe katër 4 orë kemi bërë debat me Hekuran Muratin, pikërisht për temën e kontratës kolektive edhe për këtë situatë që është krijuar pas publikimit të regjistrimit të popullsisë. Unë po i siguroj qytetarët e komunës se këto shqetësime me të drejtë u ngritën edhe në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. E para, të gjitha shkollat do të kenë ngrohje qendrore dhe do të kenë furnizim me lëndë djegëse. Është detyrë e ekzekutivit që të gjejë praktika, përkundër faktit që nuk kanë faj qytetarët që ne nuk i kemi ligjet adekuate. I siguroj nxënësit dhe mësimdhënësit që nuk do të ketë probleme me furnizimin me asgjë, sepse kemi gjetur zgjidhje, edhe pse na ka goditur kontrata kolektive sivjet. Është e vështirë, sepse dy milionë euro me t’i marrë Thesari i Shtetit për kontratë kolektive nuk është aspak e lehtë”, theksoi ai.
Latifi kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj komunave në këtë proces, duke thënë se procedurat përmbarimore po i dëmtojnë të gjitha komunat.
“Secilën komunë në një mënyrë ose tjetër e ka sakatuar Thesari i Shtetit për shkak të procedurave përmbarimore. Ka pasur dilema se pse nuk e keni planifikuar ju, por është moskuptim. Edhe ne e kemi ngritur këtë çështje: hajde na jepni mundësinë edhe që ne të planifikojmë kontratën kolektive. Por nuk na ka lejuar ligji. Ministri në detyrë pati thënë se ju komunat duhet bërë kallëzim penal ndaj njerëzve që kanë nënshkruar kontratën kolektive. Ka një farë inati dhe në fund ka thënë se nuk ka zgjidhje. Nuk do t’i japë zgjidhje këtij problemi, edhe pse asnjë kryetar komune nuk e ka nënshkruar kontratën kolektive, edhe pse në atë kontratë kolektive parashihet që fondin ta sigurojë qeveria, përkatësisht Ministria e Financave. Pra, më shumë është punë përplasjesh jo parimore, përplasjesh pse e ka nënshkruar ai dikur e pse ma ka lënë barrë mua. Tash, sipas kësaj logjike, shkojmë në qorrsokak”, tha Latifi.
Kryetari i Rahovecit paralajmëroi sfida të mëdha edhe në sektorin e shëndetësisë dhe kërkoi nga qeveria të mos i lërë komunat të përballen vetëm me barrën financiare të kontratës kolektive.
“Në shëndetësi është e vërtetë që mund të kemi përballje më serioze. Është situatë bukur problematike. Edhe unë jam duke apeluar këtu edhe një herë që të ketë zgjidhje. Ne jemi për përmbushjen e kontratës kolektive, shëndetësi e arsim, por është e papranueshme që ne t’i mbajmë pasojat financiare ne si komunë”, përfundoi ai.