LDK-ja “i përgjigjet” ftesës së Kurtit: Jo

Përpjekja më e fundit e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ballafaqur me një refuzim të prerë – një qëndrim i përsëritur që, sipas zyrtarëve të kësaj partie, nuk do të kishte minimumin e sensit kur vije nga “përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare.”
Përgjigjja e zyrtarëve të LDK-së ndaj letrës se Kurtit në adresë të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, nuk la vend për ekuivok: “Jo” – një “jo” që, siç u theksua nga nënkryetari Lutfi Haziri, nuk është e re dhe nuk ndryshon.
“Ne kemi thënë jo. Ne e kemi thënë para dy javësh. Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.” – tha ai në “DPT me Fidanin”.
Ai kritikoi gjuhën dhe veprimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri Kurtit duke i akuzuar për “polarizim” të popullatës.
“Vetëvendosja është sjellë, edhe me fjalor edhe me veprime politike deri sot, si fitues i madh që nuk ka nevojë për askënd, ka fragmentuar, ka ndarë dhe polarizuar popullatën në Kosovë.” – tha Haziri.
Në këtë ton rezonoi edhe përgjigja e një prej deputeteve më të votuara në LDK, Doarsa Kica-Xhelili , e cila kritikoi Kurtin për atë që e përshkroi si një politikë të vetë-shembur që e ka bazuar fuqinë në ndarje sistematike të spektrit politik shqiptar.
“Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare. VV është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm.Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues.”
Sipas saj, kërkesa për dialog sot vjen nga një pozitë politike e dëshpëruar, ku përpjekja për të maskuar izolimin e Vetëvendosjes shfaqet si ofertë bashkëpunimi, por pa ndonjë substancë të sinqertë.
“Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë.” – tha ajo ne Facebook.
Jehona Lushaku-Sadriu, deputete e zgjedhur brenda LDK-së, reagoi ashpër ndaj asaj që e cilësoi si një qasje të “paskrupullt” nga ana e Kurtit.
Ajo e përshkroi Kurtin si përçarësin më të madh të hapësirës politike mbarëkombëtare shqiptare.
“Albin Kurti ka dëshmuar se ishte përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare. Qasja e tij arrogante dhe përjashtuese ka dëmtuar komunikimet normale politike ndërpartiake në vend.
Tani, kur si parti fituese nuk arrinë të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit.”
“E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së.
Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve.” – tha Lushaku.