Mashtrimi i Kurtit nga Rusët dhe retorika e papërgjegjshme ndaj opozitës dhe perëndimit –Shkruan:Gjeneral Hisen BERSHA

Në një ngjarje të paprecedentë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë pre e një mashtrimi nga dy komedianë rusë, të njohur tashmë për artin e tyre të lajthitjes në komunikim të personaliteteve me komplekse paranojake. Në këtë rast, ata u paraqitën si presidenti i Letonisë dhe Kurti, pa asnjë verifikim institucional, ra në kurthin e tyre, duke zbuluar jo vetëm mungesën e mekanizmave të sigurisë në zyrën e tij, por edhe një qasje të papranueshme ndaj opozitës dhe ndërkombëtarëve. Nuk është vetëm shqetësuese që një kryeministër bie viktimë e një lajthitjëje të tillë, gjë që flet për një dështim të plotë të protokolleve të sigurisë dhe shërbimeve përgjegjëse për mbrojtjen e integritetit të komunikimeve shtetërore. Më alarmante është përmbajtja e bisedës, ku Kurti, duke menduar se po flet me një lider evropian, ka shfaqur mëri të hapur ndaj opozitës dhe ka përdorur një gjuhë të papërgjegjshme ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë. Duke e cilësuar opozitën si pjesë të një “lufte hibride” kundër tij, krahasuar me Serbinë dhe Rusinë, Kurti ka dëshmuar një qasje paranojake dhe të rrezikshme për një kryeministër. Kjo është një përpjekje e qartë për të delegjitimuar kundërshtarët politikë dhe për të krijuar një narrativë ku çdo kritikë ndaj tij cilësohet si një komplot ndërkombëtar. Ky është një precedent i rrezikshëm që minon pluralizmin dhe demokracinë në vend. Por edhe më shqetësuese është mënyra sesi ai flet për përfaqësuesit amerikanë. Duke iu referuar ish-emisarit të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kurti jo vetëm që e sulmon, por mundohet ta degradojë duke e reduktuar rolin e tij zyrtar në një çështje tjetër, larg asaj që ka qenë realisht. Kjo nuk është vetëm një papërgjegjësi diplomatike, por një akt që dëmton raportet e Kosovës me SHBA-në, një aleat kyç për ekzistencën dhe të ardhmen e vendit. Kjo ngjarje nuk është thjesht një turpërim personal i Kurtit, por një dështim i qeverisë dhe i mekanizmave të sigurisë shtetërore. Si është e mundur që një kryeministër të bjerë kaq lehtë pre e mashtrimeve të tilla? Ku janë institucionet përgjegjëse për të mbrojtur komunikimet e tij? A është Kosova e udhëhequr nga një njeri që nuk di të bëjë dallimin midis një lideri evropian dhe dy mashtruesve rusë? Kjo formë lajthitjëje është provuar edhe më parë ndaj liderve kosovarë por janë zbuluat ende pa e realiziar komunikimin. Kjo ngjarje tregon një qeverisje të papërgjegjshme, ku interesat personale dhe paranojat politike vendosen mbi sigurinë kombëtare dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë. Ky është një dështim që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe duhet të shërbejë si një alarm për institucionet dhe qytetarët e Kosovës./QendraPress/