Me 90 vota për, miratohet Rezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.
Rezoluta u prezantua para deputetëve nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili theksoi rëndësinë e dokumentimit të sakrificës së popullit të Kosovës dhe ruajtjes së narrativës historike të luftës çlirimtare.
Duke theksuar se mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës historike, si dhe respektimi i dinjitetit të viktimave, të të mbijetuarve dhe të gjithë atyre që kontribuan në lirinë e vendit, përbëjnë detyrim të patjetërsueshëm kushtetues, moral dhe shtetëror, në funksion të ruajtjes së identitetit kolektiv dhe të drejtës historike;
Duke shprehur shqetësimin e thellë për çdo përpjekje, qoftë përmes aktiviteteve publike, publikimeve apo formave të tjera të komunikimit, që synojnë shtrembërimin, relativizimin apo interpretimin e pasaktë dhe tendencioz të ngjarjeve të luftës në Kosovë, duke cenuar kështu të vërtetën historike dhe ndjenjat e qytetarëve;
Duke vlerësuar rëndësinë thelbësore që trajtimi i historisë së luftës së Kosovës të bëhet në mënyrë profesionale, objektive dhe të bazuar në fakte të verifikuara dhe burime kredibile, në përputhje me standardet shkencore dhe profesionale, veçanërisht në hapësirat publike, institucionale dhe arsimore;
Duke theksuar nevojën për ruajtjen dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, përmes mbrojtjes së narrativës së bazuar në të vërtetën historike, transparencës institucionale dhe përgjegjësisë publike në trajtimin e çështjeve që lidhen me luftën dhe pasojat e saj.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS:
1. THEKSON se është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës që të kryejn hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Të vetmet të dhëna të konfirmuara mbi krimet e Serbisë në Kosovë, janë të dhënat zyrtare nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
2. INKURAJON institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën e nisur edhe me më shumë përkushtim për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, duke shfrytëzuar edhe më shumë ndryshimet e fundit ligjore për hetimin dhe gjykimin në mungesë të krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë;
3. NDERON me përulje sakrificën sublime të popullit shqiptar, të të gjithë dëshmorëve të kombit, të rënëve e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyrë kontribuan dhe u sakrifikuan për liri e pavarësi;
4. DËNON çfarëdo përpjekje zyrtare ose tjetër, si dhe çfarëdo deklarimi të zyrtarëve publikë që synon ose angazhohet për amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë;
5. DËNON çdo formë të shtrembërimit, relativizimit apo paraqitjes së pasaktë të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë 1998–1999;
6. DËNON nismat si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë, që, me pasaktësitë në të dhëna mbi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve duke rrezikuar deformimin e të vërtetës dhe fakteve historike;
7. FTON Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës nëKosovë, që sa më parë të hulumtojë dhe tëdokumentojë të dhënat e sakta mbi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë dhe të pasqyrojë të vërtetën historike në mënyrë të saktë dhe të plotë;
8. FTON të gjitha institucionet shtetërore, institucionet akademike dhe institutet kërkimore, mediat, organizatat joqeveritare, shoqatat e profesionistët e fushës, qytetarët e familjarët e viktimave që të angazhohen në grumbullimin e materialeve, fakteve, dëshmive, provave e argumenteve duke i deponuarato në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
9. MBËSHTET dhe inkurajon përgatitjet për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë;
10. FTON organet e drejtësisë që të zhvillojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm lidhur me praninëeventuale të elementeve penale në rastin e prezentimit të të dhënave të pasakta dhe të zbardhen deri në fundrastet e mundshme të kësaj natyre;
11. OBLIGON Ministrinë e punëve të Jashtme dhe Presidencën që të reagojnë në kohë reale dhe proporcionalisht në rastet kur nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare ose deklarata publikesulmohet e vërteta e luftës së fundit në Kosovë;
12. OBLIGON institucionet përgjegjëse që çdo aktivitet publik, ekspozitë apo publikim që trajton periudhën e luftës, të bazohet në burime të verifikuara dhe të konfirmuara nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ndonjë institucion kërkimor shkencërisht kredibil si dhe në vendime përfundimtare të institucioneve të drejtësisë, për të shmangur çdo interpretim që cenon dinjitetin e viktimave dhe të vërtetën e luftës çlirimtare;
13. INKURAJON komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe studiuesit që të kontribuojnë në dokumentimin e saktë dhe të bazuar në fakte të historisë së luftës në Kosovë;
14. ZOTOHET se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme legjislative për plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me qëllim që të parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998–1999. Gjithashtu, zotohet të parashihen dënime edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë apopërhapin propagandën e Serbisë;
15. KËRKON që Kuvendi dhe çdo institucion tjetër qendror apo lokal në Republikën e Kosovës, para se tëmbështes financiarisht apo në çfarëdo mënyre, aktivitete që kanë për qëllim prezentimin e periudhës së luftës apo që përmbajnë elemente nga periudha e luftës, që të sigurohen për përmbajtjen e materialeve, saktësinë e të dhënave dhe të vërtetën historike;
16. NDALON financimin apo mbështetjen e organizatatve që realizojnë ose promovojnë projekte që deformojnë të vërtetën historike dhe fyejnë viktimat;
17. KONFIRMON përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës historike, si një nga shtyllat themelore të identitetit shtetëror, kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo e vërtetë përbën bazën e ndërtimit të besimit qytetar, të edukimit të brezave të rinj dhe të forcimit të legjitimitetit të shtetit në planin vendor dhe ndërkombëtar; si dhe zotimin për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm institucional dhe ligjor për të parandaluar dhe kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërim, relativizim apo mohimin e fakteve historike që lidhen me luftën dhe sakrificën për liri”.