ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS? /Shkruan :Prof .Dr.Milazim KRASNIQI

Pas vitit 1999 Serbia ka adoptuar disa politika specifike në drejtim të Kosovës. E para është koncentruar për secesionin e veriut, e pakta që përmes krizës në atë zone, të mbajë tërë Kosovën në jostabilitet permanent dhe ta pamundësojë funksionimin e saj si shtet demokratik. Suksesi politik i Serbisë në veri në këto vitet e fundit ka qenë i madh, sepse e ka imponuar qëndrimin ndërkombëtar se veriut i duhet autonomia territoriale, gjë që edhe është arritë me Planin Franko-Gjerman dhe me Aneksin e Ohrit. Sulmi terrorist në Banjskë është bërë për të frikësuar Perëndimin me rrezikun e luftës, nëse nuk zbatohet Plani Franko-Gjerman. Ndërsa aksionet e qeverisë së Kosoëvs që bëhen në veri me disa aksione policore, janë vetëm tentativa që të fshehet fakti se veriu e ka fituar autonominë territoriale. Pra, në veri politika e Serbisë ka triumfuar. Pasi kanë treguar dhëmbët me sulm terrorist, serbët lokalë po e aktrojnë viktimën, por ata janë fituesit e mëdhenj në procesin politik. Segmenti i dytë i politikës së Serbië pas vitit 1999 është orientuar ashtu që serbët në brendësi të Kosovës të integrohen, për çka u janë siguruar disa komuna: Graçanica, Novo Bërdoja, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti.  E treta, Kisha Ortodokse Serbe ka fituar lirinë e veprimit në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim, pra njësoj si ç e ka në Shumadi ose në Vojvodinë. E katërta, rifuqizimi i shërbimeve serkete serbe në Kosovë ka qenë evident, veçmas pas pavarësisë së Kosovës (2008), kur mekanizmat ndërkombëtar janë zvogëluar. Institucionet e reja e të brishta të Kosovës nuk kanë arritë të përballojnë ripenetrimin e shërbimeve sekrete serbe. Kapacitetet destabilizuese të tyre sot janë në Kosovë të frikshme. Fakti që askush nuk dëshiron ta hapë këtë temë, mësa temën e dosjeve të spiunëve të shërbimeve sekrete serbe e jugosllave, është dëshmi e fuqizimit dhe ndikimit të tyre në opinionin publik dhe në segmente të jetës politike e publike. Me shumë gjasë ato tashmë janë të koordinuara edhe me shërbime të shteteve të tjera, si shërbime partnere, në projektin e çmontimit të nacionalizmit shqiptar dhe të luftimit të Islamit politik. E pesta, dominimi i mallrave serbe në tregun e Kosovës, përveç për profit nga i cili financohen projektet subversive, ka mundësuar edhe thyerjen e refuzimit psikologjik të popullsisë, jo vetëm ndja mallrave serbe po edhe ndaj Serbisë. Kjo politikë ka pasur sukses të madh, sepse sot gati askush nuk e lidhë traumën e kohës së spastrimit etnik me Serbinë e sotme. Një harresë vërtet e frikshme. E gjashta, në dialogun e hapur e të fshehtë ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Serbia ka fituar poena, për arsye se përfaqësuesit e Kosovës, sidomos ky burri në këto pesë vitet e fundit, ka qenë totalisht jokompetent. Bile po të mos ishte kriza e brendshme në Serbi, e shkaktuar nga trazirat e studentëve, nga presionet e SHBA-së për kompaninë ruse NIS, gjërat do të ishin edhe më keq sa sa që janë. Konkluzioni im është se Kosova duhet urgjentisht të analizojë tërë këtë gjendje dhe të hartojë një politikë më produktive në kundërvënien ndaj politikave serbe, të cilat në disa segmente thjesht duket sikur padukshëm e kanë riokupuar Kosovën. E sigurt është që qeveritarët aktualë nuk dinë ta hartojnë, madje as opozitarët. Definitivisht do të duhej të kërkohej shërbim nga bota akademike. Është dashtë të kërkohej që nga fillimi, që nga Procesi i Vjenës. (7 janar 2026)/QendraPress/