MEDALJA E ARTË ‘ALEKSANDRI I MADH’/Shkruan; Zekerija Idrizi – Berlin / Shkup

Kjo Medalje e Artë për mua është gëzimi më i madh deri më sot për punën time plot tri dekada e gjysëm. Thënë të vërtetën, për çdo Çmim që kam marrë në jetë jam gëzuar shumë. Jam mirënjohës ndërgjegjshmërisht!
Në datat 02 / 03 nëntor 2025, siç ju kam paralajmëruar, do të jem në Athinë të Greqisë, ku do të marr Medaljen e Artë ‘Aleksandri i Madh’ për mbarë veprimtarinë time shkrimore/librore, studimore dhe letrare nga Gjeniu Z. Dinos Koubatis (grek me origjinë Arvanitas) – President i INTERNATIONAL ORGANIZATION FOR THE DEVELOPMENT OF SPIRIT AND ART – Under the auspices of the Unesco Group of Piraeus and Islands – 26 Tinou – 18 900 SALAMINA – GREECE. I nominuar jam nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI Albania dhe Akademia e saj Alternative Pegasiane në Shqipëri – me Presidentin Prof. Kristaq F. Shabani – Akademik.
Dhe, mund ta imagjinoni se ç’emocione do marr atje! Do kthej kujtesën në retrospektivë, atje ku unë, qysh gjimnazist e student universitar i mora mësimet fillestare bazike nga Filozofia Antike Greke, nëpërmes saj edhe nga djepet tjerë të qytetërimeve të lashta, si Egjipti, Indo-Kina, Mesapotamia… Nga andej, kalova në “Bejtul-Hikme-tin” (Shtëpinë e Urtësisë) së Bagdadit dhe te Universitetet andaluziane të Seviljes e Kordobës në Mesjetë.
Vazhdova me pasion të rrugëtoj në thesaret e diturive të Iluminizmit “italian”, Renesancës e Iluminizmit “frëng” (euro-perëndimorë), për të mbërritur plot 35 vjet te thesaret e pashterrshme të kulturës e qytetërimit gjermano-austriak (dhe zviceran), ku jam dhe sot e në mot…
Ndërsa, si studiues profesionist i teologjisë, me vite e dekada kalova në thesaret e gjithë monoteizmave religjiozë e feve planetare ibrahimike/abrahamike: islame, kristiane dhe hebraike, përfshirë këtu dhe gjitha dogmat e doktrinat e “feve animistike” – politeiste (totemizmi, shintoizmi, Veda-Upanishadet: brahmanizmi-hinduizmi-budizmi – Zoroastrizmi (Zarathustrizmi) etj. , e deri te ato “satanike”)…
E, këtu, në Gjermani pra, ndër vite-dekada jam zhytur thellë në “oqeanin” e kulturës dhe qytetërimit të saj, edhepse plot tetë vjet 1984-1992 filozofinë botërore e kisha mësuar nga profesorët e mi pikërisht nëpërmjet veprave të filozofëve gjermanë (Hegel, Kant, Karl Jaspers, Martin Heidegger, Oswald Spengler etj.)… te ky Komb, i cili botës i dhuroi 82/83 Nobelistë të Shkencave, Letërsisë e Paqes dhe qindra koka të tjera gjeniale të të gjitha fushave e disiplinave diturore, filozofike e kulturo-artistike… Madje, me theks të veçantë ky komb na dhuroi neve shqiptarëve dhe Albanologët më të fuqishëm gjermano-austriakë, të cilët kanë dhënë kontribut kapital në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare…
Të shtoj ktu dhe gjitha ART-et e bukura nga antikiteti e deri më sot, me në qendër LETËRSINË kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtare…
******
Zekerija Idrizi – Berlin / Shkup
/QendraPress/