MOS PËRHAPNI URREJTJE NË POPULL! -Nga gazetarja, poetja prof. Kumrie Shala – Pejë, Dardani, Shqipëri e Madhe!

Kush po i fryn zjarrit?

Kosovën dhe Shqipërinë nuk i përfaqëson as Gjesti dhe as Jozi. Ata përfaqësojnë vetëm karakterin dhe sjelljet e tyre personale. Po ashtu, asnjëri nga banorët që kanë hyrë në “Big Brother” nuk përfaqëson familjen apo kombin e vet – përfaqësojnë vetëm veten.

Çdo akt dhune duhet të dënohet sipas ligjit – kjo është e qartë dhe duhet të jetë normë në një shtet demokratik.

Ata që pranojnë të hyjnë në një format televiziv, i cili në shumë raste është degradues, duhet të jenë të vetëdijshëm se pjesë e lojës është edhe humbja. Mos përhapni urrejtje në opinion, sepse nuk duhet ta harrojmë luftën në Kosovë dhe kush na doli krah në kohën më të vështirë ,Shqipëria, vëllezërit tanë. Po të mos na i kishte hapur dyert Shqipëria, ku do të kishim përfunduar? Në det? Apo në Serbi, në një kasaphanën ne katror, ku u krye gjenocid në përmasa të tmerrshme?

Mendoni me kokë të ftohtë. Mos fyeni, mos shani, mos e ofendoni njëri-tjetrin për një gabim burracak të Jozit. Dhuna nuk përkrahet nga askush që ka dy fije mend në kokë. Por as ofendimet dhe përbuzja nuk janë rrugëzgjidhje.

Ju media – të shkruara dhe elektronike – mos e eskaloni situatën!

Ky format televiziv që quhet “Big Brother”, është gjithçka tjetër, përveçse Big Brather, nuk mundet me qenë në shoqërisë tonë. Kushdo që hyn në këtë format, çoftë në Kosovë apo Shqipëri, dhe thotë se do të ruajë nderin, moralin, kombin, fenë, arsimin e kulturën – le të mos hyjë fare, sepse vetë hyrja e ul nivelin.

Karakteri, morali dhe identiteti nuk ruhen në një shtëpi me kamera 24 orë. Nëse e quan veten VIP, këngëtar, aktor, shkrimtar, politikan, filozof, duhet të dini ku e keni vendin. Populli ka një fjalë të urtë: “Rri me hoxhë, bëhesh hoxhë. Rri me prift, bëhesh prift.”

Nuk e di pse duhet të imitojmë të tjerët kur as zanatin nuk e njohim. Ky format nuk është për ne.

Në një vend ku ligji nuk respektohet, ku padrejtësitë janë të përditshme, ku ka dembeli, ka urrejtje e ka zhurmë, nuk ka vend për formate të tilla që vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit.

Karakteri dhe morali nuk shiten e as nuk blihen me lekë. E aq më pak kur je 24 orë nën vëzhgimin e kamerave dhe cenohet privatësia personale.

Mos shpërndani vrer e urrejtje në rrjetet sociale e në media. Jozi, edhe pse është një burrë dy metra, nuk i falet ta godasë dikë vetëm pse ia hapi derën.

Të hapësh derën është shenjë kulture e mirë. Pse duhet të ndihesh i fyer për një sjellje të mirë?

Fyerje është kur dikush të poshtëron, të injoron apo të bullizon. Ulni gjakrat! Nuk kemi kohë për përçarje mes vëllezërve. Këto situata i shërbejnë dhe shkojnë në favor, vetëm të armiqve tanë.

Ne e dimë mirë që çdo gur po lëvizet për të futur përçarje mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Shpresoj që Gjesti të mos ketë ndonjë problem, ndërsa Jozi – është urgjente të vizitojë një psikolog.

Ju familjarë, shoqëri, miq dhe dashamirës të Gjestit dhe Jozit – nëse ia doni të mirën trojeve tona, ruani qetësinë!

Ju media – kujdesuni për etikën profesionale! Mos i jepni hapësirë çdo zëri që përhap përçarje. Jo çdo opinion meriton të jetë lajm.

Me respekt./QendraPress/