Ndahen 41 vetura për policët patrullues, 35 prej tyre limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka nda  41 vetura të reja për policët patrullues, 35 prej tyre limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese.

Sipas komunikatës për media thuhet se kjo po bëhet në vazhdën e ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, si dhe të rritjes së vazhdueshme të efikasitetit në punën e policëve patrullues, me qëllim që ata të jenë sa më afër nevojave të qytetarëve.

“Përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes shtesë me automjete zyrtare për njësitë patrulluese të stacioneve policore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar me mbështetjen ndaj departamenteve policore, në këtë rast të rendit publik, duke ndarë dyzet e një (41) vetura të reja, prej tyre 35 limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese, në të gjitha drejtoritë rajonale”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej shtohet se “Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit me kohë ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale”./EO/