Ndahet nga jeta  Mr.Enver Batiu,personalitet  i gjithëanshëm dhe atdhetar i dëshmuar

Emri i profesor Enver Batiut ishte i njohur si mësimdhënës në Opojë në vitet 70-ta derisa u shpërngul në Prizren.

Edhe atje dha kontribut të çmuar kudo që punoi.

Shkroi edhe disa punime shkencore në lëmin e historisë, ku disa nga ato, kanë zënë vend edhe në librin “Opoja – aspekti historik”, janë këto punimet: “Opoja trevë e lashtë shqiptare”, si dhe punimi “Qasje antishekncore e Jastrebovit për Opojen e Gorën”.

Gjithashtu mr. Enver Batiu (e shkrova qëllimisht mr. sepse Enver Batiu nuk ishte magjistër formal, si disa që kanë magjistruar brenda natës).

Mr. Enver Batiu ka botuar edhe disa punime për Ymer Prizrenin: “Trashëgimia e Haxhi Myderriz Ymer Sylejman Prizrenit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar” dhe “Dritë e re mbi gjenealogjinë e Ymer Prizrenit”, pastaj ka shkruar punimin “Veprimtaria e Ymer Prizrenit”, recensionin për librin e dr. Muhamet Pirrakut: “Ymer Prizreni – Ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”; Pastaj punimin “Eshref Krusha – veprimtari trim dhe i papërkulshëm para presioneve të kohës” të cilin e ka prezantuar në tribunën shkencore “Roli i përsonaliteteve nga Gora në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, etj.

Të gjitha këto punime janë botuar në libra të ndryshëm e ribotuar edhe në revistën Sharri.

Së fundi botoi librin “Shtrembërimet e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, ku Enver Batiu një kohë relativisht të gjatë është marrë me trajtimin e kësaj teme. Ai fillimisht e ka përkthyer materialin se çfarë ka shkruar Jastrebovi për Opojën dhe Gorën e i cili material është botuar në librin “Serbia e vjetër dhe Shqipëria” e botuar më 1904 në Beograd.

Për ta bërë më të kapshëm për lexuesin, në materien për të cilën shkruan Enver Batiu, fillimisht e prezanton se: Kush ishte Ivan Stepanovic Jastrebov, duke shpjeguar rolin e tij dhe funksionin që kryente Jastrebov atëbotë.

Pastaj në pjesën e parë të librit, paraqet shkrimin e Jastrebovit për Opojën, për të vazhduar më tej me shkrimin e Jastrebovit për Gorën.

Ndërkaq në pjesën e dytë të librit, Enver Batiu paraqet përgjigjjen e tij ndaj konstatimeve të shumta të paqëndrueshme të Jastrebovit.

Kështu autori fillimisht paraqet studimin e tij të titulluar: “Të pavërtetat për Opojën” (Vështrim kritik ndaj studimit “Stara Serbia i Albanija” të Ivan S. Jastrebov). Për të vazhduar pastaj me studimin tjetër të titulluar: “Të pavërtetat për Gorën”.

Historiani Enver Batiu, në këtë libër, me fakte konkrete i kundërvihet konstatimeve të Jastrebovit, të cilat konstatime janë të paqëndrueshme historikisht. Gjithashtu Enver Batiu sjell shembuj konkret të shtrembërimeve nga Jastrebovi në shumicën e fshatrave të Opojës, si dhe shembuj konkret edhe për trevën e Gorës dhe fshatrat e saj.

Pra, Batiu ofron të dhëna të shumta ku Jastrebovi është munduar që t’i shtrembëroj faktet historike, pastaj ofron të dhëna, ku Jastrebovi qëllimisht i ka ikur fakteve historike e të cilat nuk përmenden fare në librin e Jastrebovit.

Kulmi i tendenciozitetit nga Jastrebov arrinë te konstatimet antihistorike të përhapjes së islamizmit në trevën e Opojës, e veçmas në trevën e Gorës.

Në këtë rast, autori Batiu tregon se si Jastrebov bën konstruksione për ta nxjerrë këtë popull si ardhacak në këto hapësira.

Këto konstatime të Jastrebovit më vonë i kanë cituar shumë autorë serb si Cvijiqi, Radovanoviqi e shumë të tjerë të cilët në punimet e tyre për Opojën dhe Gorën, dhe përgithësisht për shqiptarët, vazhdojnë të shkruajnë në frymën antishkencore të Ivan S. Jastrebovit.

Konstatimet e Jastrebovit, në shumë gjëra, kanë shërbyer si pikënisje për Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave. Prandaj antarët e kësaj akademie që në fillim të viteve 90-të e kanë vizituar Gorën, Opojën dhe Sreckën dhe kanë shkruar po në këtë linjë, pra në linjën antishkencore, në frymën e antishqiptarizmit, me punime të të cilëve pastaj janë botuar 3 libra nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave.

Enver Batiu jo vetëm që i ka pikasur me zgjuarsi, të metat shkencore dhe qëllimet dashakeqëse të Jastrebovit ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe ndaj banorëve të Gorës e Opojën në veçanti, por me këtë libër Enver Batiu ia ofron më për së afërmi lexuesit të dhënat, për ta parë realitetin, si dhe studiuesve të ndryshëm, të cilëve gjithësesi ky libër do tu hyjë në përdorim.

Në fund të librit, autori pos literaturës paraqet edhe një fjalorth shpjegues me fjalë të panjohura, të cilat pa një shpjegim të dhënë nga Enver Batiu, lexuesi i rëndomtë e ka të vështirë që t’i kuptoj.

Mr. Enver Batiu, ka edhe punime të tjera, te cilat nuk ka arritur t’i botojë për shkak të gjendjes shëndetësore që viteve të fundit ju përkeqësua, dhe si pasojë ishte në dializë.

Prandaj, është e udhës që punimet e tij të botuara e pabotuara, t’i përmbledhen në një libër të veçantë.

Këtë ja kërkon koha, historia, si dëshmi e veprimit të tij dhe si dëshmi e ndriçimit shkencor të gjërave për të cilat ka shkruar.

Dhe jo vetëm kaq!

Mr Enver Batiu, ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në momentet më të vështira të saj.

Me përkushtim dhe dinjitet, për dekada të tëra na mësove e na udhëzove në njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore e historike. Kontributi yt në edukimin e brezave dhe në ndërgjegjësimin për vlerat tona kombëtare do të mbetet i pashlyeshëm.
Kujtimi yt do të jetojë në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që patëm fatin të të dëgjojmë e të mësojmë prej teje.
Zoti të shpërbleftë me xhenet dhe të dhëntë prehje të përjetshme!

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës./QendraPress/