Në mbledhjen e sotme Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka aprovuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Pro shtrenjtimit të energjisë elektrike votuan pesë anëtarët e bordit të ZRRE-së.

Anëtarët e bordit deklaruan se aprovimi i këtyre tarifave është i domosdoshëm për të siguruar energji elektrike. Kryesuesi i bordit, Ymer Zejnullahu, deklaroi se këto tarifa vlejnë për dy kategori.

“Me pesë vota për, konstatoj se aprovohen tarifat për konsumatorët universal me shërbim universal, sic janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar, të gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë familjarë dhe bizneset e vogla, më qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë. Pra janë këto dy kategori që mund të furnizohen nga 1 maji, deri më 31 mars 2026”, tha ai.

Tarifat e reja do të vlejnë për faturat nga 1 maji.

Ndryshe, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike janë shprehur një numër i madh i qytetarëve, të cilët edhe kishin protestuar kundër këtyre tarifave./Telegrafi/