Në pikën e Morinës për 17 ditë hynë mbi 386 mijë persona dhe mbi 250 mijë automjete

Pika kufitare e Morinit, që lidh Shqipërinë me Kosovën, po përjeton ditët më të ngarkuara të sezonit turistik.

Nga data 1 deri më 17 korrik 2025, janë përpunuar 386,868 hyrje dhe 409,595 dalje të shtetasve, me mbi 250 mijë mjete që kanë kaluar kufirin në të dy drejtimet.

Ky fluks përbën një rekord të ri krahasuar me vitet e kaluara, i cili përfshin: Pushues nga Kosova që udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar. Udhëtarë nga vendet e BE-së që kalojnë tranzit në Shqipëri drejt Kosovës. Mërgimtarë që rikthehen në vendlindje për pushime. Për përballimin e fluksit janë vendosur në funksion 7 sportele pune, të ndara sipas kategorive të mjeteve.

Me rreth 800 mijë shtetas që kanë hyrë e dalë vetëm në dy javët e para të korrikut, pika kufitare Morinë mbetet një arterie jetike e lëvizjes në rajon. Për autoritetet kufitare, sfida është e përditshme: të garantojnë siguri dhe shpejtësi, ndërsa qytetarët kërkojnë më pak pritje dhe më shumë efikasitet.”Përveç Morinës, masa janë marrë edhe në pikat e tjera kufitare nën varësinë e Drejtorisë Vendore për Kufirin Kukës, për të përballuar fluksin e lartë të sezonit veror.