Në Rahovec ndahet Çmimi Letrar “Sulejman Krasniqi”

                Në Ditën e Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec, më 7 dhjetor 2024, u kujtua jeta dhe vepra e shkrimtarit dhe atdhetarit të madh, i cili me penën dhe përkushtimin e tij i dha frymë dhe zemër dashurisë për atdheun.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, së bashku me familjen e tij të respektuar, vajzën Albanën, djemtë Sokolin dhe Derandin, si dhe të afërmit e tjerë, u ndanë momente krenarie dhe mirënjohjeje për trashëgiminë që la Sulejman Krasniqi. “Ai ishte zëri i historisë sonë, i heronjve tanë dhe i ndjenjave të popullit që, edhe nën dhunë e represion, nuk u dorëzua për asnjë çast”, u theksua në aktivitet.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje u dha Çmimi Letrar “Sulejman Krasniqi” për vitin 2024, me fituesit e përzgjedhur nga komisioni profesional:

Vendi i parë: Poezia “Mungesë” (shifra: 0001)

Vendi i dytë: Tregimi “Si të vrasësh nëpërmjet dashurisë” (shifra: Pseudo L)

Vendi i tretë: Poezia “Etje e pashuar” (shifra: Milosao)

“Këto çmime janë një shenjë e vogël falënderimi për ata që vazhdojnë të frymëzohen nga vepra e tij dhe që i shërbejnë letërsisë, kulturës dhe kujtesës kombëtare”, u deklarua gjatë ndarjes së çmimeve.

Organizatorët e ceremonisë theksuan rëndësinë e promovimit të trashëgimisë së Krasniqit si burim frymëzimi për brezat e rinj, duke nënvizuar: “Jemi krenarë që mbajmë gjallë emrin dhe veprën e tij dhe që e ndajmë këtë trashëgimi me brezat e ardhshëm”./PrizrenPress.com