Nën brohoritjet “UÇK, UÇK”, Hashim Thaçi niset drejt Hagës.

Nën brohoritjet “UÇK, UÇK”, Hashim Thaçi niset drejt Hagës

                  Nën brohoritjet “UÇK, UÇK”, Hashim Thaçi niset drejt Hagës. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën dyditore në Kosovë. Gjykata Speciale kishte lejuar vizitën e Thaçit pesë ditë pasi vdekjes së babait të tij. Thaçi të premten arriti në Kosovë, ku ndalesën e parë e bëri te varri i babait të tij, i cili vdiq javën e kaluar, transmeton Telegrafi.

Nën masa të rrepta sigurie, Thaçi vendosi pranë varrit edhe kurorën me lule ku mbishkrim kishte vendosur “Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë me dorë, do t’i falënderoj të gjithë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”.

 Pastaj, Thaçi shkoi te familjarët ku qëndroi për disa orë. Më pas, Thaçi natën e kaloi te zyret e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku sot takoi bashkëshorten dhe vëllezërit e tij.

Derisa Thaçi pranoi vizitat, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin mbledhur duke protestuar dhe duke kërkuar lirinë e tij.

“S’kemi heronj për të sakrifikuar”, “Liri për çlirimtarët”, “Liria ka emër”, “Drejtësi, jo politikë”, janë disa mbishkrimet e vendosura në pankartat që ata kanë mbajtur.

Vizitën e Thaçit në Kosovë e konfirmuar nga Specialja, duke njoftuar se ai është lejuar të bëjë nderime dhe të jetë me familjen e ngushtë

“Mund të konfirmoj se për arsye bindëse humanitare, trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë në paraburgim në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë për Telegrafin, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Thaçi nuk ishte lejuar nga Specialja të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.

Ish-presidenti i Kosovës vazhdon të mbahet në paraburgim që nga viti 2020/Telegrafi/