NËNË TEREZA – ZEMRA SHQIPTARE E NJERËZIMIT- Shkruan;Naim DEDUSHAJ

26 Gusht 1910 – 5 Shtator 1997
Sot kujtojmë me përulësi, krenari dhe mirënjohje shenjtën shqiptare, bijën e Shkupit, Nënën e gjithë botës – Nënë Terezën, e cila u nda nga jeta më 5 shtator 1997, por mbetet e pavdekshme në zemrat dhe ndërgjegjen e njerëzimit.
Ajo ishte zëri i atyre që nuk kishin zë, drita për më të harruarit, shpresa e të pambrojturve.
Me duar të lodhura, por zemër të pakufishme, ajo shërbeu atje ku njerëzimi kishte më shumë nevojë për dashuri, përkujdesje dhe dinjitet.
Nënë Tereza, krenaria më e madhe shqiptare, e bëri botën të kthejë sytë nga kombi ynë – me respekt, admirim dhe nderim.
Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton do të thoshte me thellësi:
“Nënë Tereza ishte personi i parë që më bëri ta dua më tepër kombin shqiptar. Me vdekjen e saj, mbarë rruzulli tokësor humbi një gjigant të epokës sonë – një frymëzim dhe një sfidë për të gjithë. Mbretëreshat dhe mbretërit, presidentët, kryeministrat, partiakët dhe Papët vijnë dhe ikin. Por Nënë Tereza është një. Jetoi në brezin tonë, në shekullin tonë – dhe ne jemi të gjithë mirënjohës për këtë.”
Shekulli që pati Nënën Terezë, ishte më i ndriçuar. Por çdo shekull që do të vijë, ka për ta përmendur me mall e frymëzim.
Lavdi jetës dhe veprës së saj!
Faleminderit, Nënë!/QendraPress/