Nëntë kryesues ndalohen për falsifikim të rezultateve në Rahovec, prokuroria kërkon paraburgim për ta

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se bashkë me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike në Komunën e Rahovecit.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 17 kryesues. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 9 (nëntë) kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë u zotua në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.