Nga kriminelë në klerikë, Kisha Serbe përdor petkun fetar për të cenuar sigurinë e Kosovës-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA

Regjimet totalitare me prirje diktatoriale e kanë si tipar të pandashëm paranojën, e cila më pas shndërrohet në propagandë heroike të suksesit. Po ashtu, nëse i referohemi historisë kishtare ortodokse serbe dhe kulturës fetare serbe, përfshirë simbiozën ndërmjet kishës dhe shtetit, vërejmë një numër të madh rastesh ku kisha ka rehabilituar figura ushtarake apo kriminelë serbë, të cilët kanë mbetur në kujtesën e komuniteteve të goditura si kryes të krimeve monstruoze, të dënueshme nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Kësisoj, politika kishtare dhe ajo shtetërore serbe ka ndërtuar një strategji të qëndrueshme të rehabilitimit të kriminelëve. Fillimisht i mbajnë për disa muaj, në një gjendje të tillë përdëllimi, dhe më pas i transformojnë në klerikë. Kjo strategji u mundëson që manastiret t’i shndërrojnë në qendra të politikave doktrinore antishqiptare, si dhe në qendra operative të veprimtarisë inteligjente. Kjo dukuri është dëshmuar në shumë raste gjatë historisë së luftërave dhe masakrave. Një shembull domethënës është masakra e Jabllanicës në Gjakovë më 1921, me organizimin e kishës, u masakruan 64 shqiptarë nga familje të njohura të trevës. Kryesit e kësaj masakre janë identifikuar si klerikë. Kënga popullore e Sali Shabanit e dokumenton qartë se si klerikët ortodoksë serbë, gjatë kohës që shërbenin si ushtarakë me grada – si kapiteni Spiro – kanë kryer krime dhe, më pas, janë transformuar në klerikë për t’i shpëtuar drejtësisë. Edhe pas luftës së fundit në Kosovë, ka raste të ngjashme; ish-milic famëkeq serb, që kanë kryer shumë akte dhune dhe krime kundër popullatës civile shqiptare, janë identifikuar si klerik në Manastirin e Deçanit. Deputetja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Znj. Alicia Kerns, deklaroi se klerikët ortodoksë janë të përfshirë në proliferimin e armëve ilegale nga Serbia në Kosovë, dhe se objektet religjioze përdoren si vendbazime për ruajtjen e këtyre armëve. Ndaj kësaj deklarate reaguan shumë subjekte, përfshirë edhe KFOR-in. Kur ndodhi incidenti në Banjë më 2023, me depërtimin e armatimeve, municioneve dhe automjeteve luftarake taktike përmes kufirit të Kosovës – vetëm 3.5 km larg nga vendkalimi zyrtar doganor – dhe dislokimin e trupave dhe armëve në nivel kompanie, KFOR-i heshti, megjithëse me rezolutë të OKB-së, e ka përgjegjësinë për mbrojtjen e kufijve dhe ambientit të sigurt në Kosovë. Deri më sot, askush nuk ka raportuar zyrtarisht se çfarë ndodhi; askush nuk ka dhënë llogari apo përgjegjësi. Nuk është sqaruar as përfshirja e metropolit të Prizrenit në këtë ngjarje. Manastiri në Boletin, Mitrovicë, vazhdon të shihet si vend i dyshimtë për ruajtjen e armatimeve. As sulmet në Kanalin e Ibrit, në Komunën e Zubin Potokut, as rasti i pretencës së Manastirit të Deçanit për pronësimin e 26 mijë hektarëve tokë që nuk i takojnë dhe që është në procedurë kontestimore, nuk janë trajtuar siç duhet. Rasti i fundit, ku u kapën “me presh në dorë” ish-oficerë kriminelë serbë të rehabilituar nga kisha dhe të transformuar në klerikë fetarë, e ka bërë të qartë qëndrimin tim: Kisha Ortodokse Serbe është promotore e politikave të urrejtjes nacionale, e fashizmit serb dhe e funksionimit si qendër operative e spiunazhit dhe krimeve shtetërore serbe. Një element tjetër i rëndësishëm që duhet theksuar është përvoja vetjake e z. Kurti. Gjatë kohës sa ishte pjesë e organizatës KAN dhe në emër të implementimit të politikave të bashkim-vëllazërimit modern jugosllav, ai ka kaluar net të tëra nëpër manastiret serbe, në konsultime me klerikë dhe koordinime me politika pansllave dhe përfaqësues ndërkombëtarë proserbë në periudhën e pasluftës. Përvoja të ngjashme kanë pasur edhe të tjerë nga kjo strukturë, gjatë kohës që kanë shërbyer për Fondacionin për të Drejtën Humanitare të znj. Sonja Biserko. Të gjitha këto kërkojnë hetim profesional dhe objektiv – nga organet më të larta të sigurisë, si FBI dhe CIA – dhe jo thjesht përdorim politik të strukturave të komprometuara që vetëm po rrisin pasigurinë. Prandaj, mund të konkludojmë se z. Kurti ka përvojë të drejtpërdrejtë me këto struktura, dhe është i njohur me misionin e vërtetë të objekteve religjioze serbe dhe rolin e misionarëve ushtarakë serbë të kamufluar si klerikë. Kjo e bën arrestimin e fundit të këtyre individëve të një rëndësie të veçantë. Edhe pse mbështes aksionin e Policisë së Kosovës, suksesi i tij ka dy interpretime: së pari, ai mund t’i atribuohet Kryeministrit, i cili ka përvojë me këto struktura; dhe së dyti, mund të jetë rezultat i infiltrimit të një oficeri të sigurisë së PUN – nga radhët e aleatëve, i cili e ka dekonspiruar misionin e Beogradit dhe qendrave operative kishtare serbe në Kosovë – që kanë selinë në Dedinje, pranë Sinodit Rus, dhe janë të shtrira në gjithë Kosovën e më gjerë. Ky përfundim mbështetet edhe nga ngjarja e Banjës ’23, kur oficerë në lirim nga garnizoni i Nishit dhe banda kriminale serbe në Veri, ndërmorën një sulm të tipit invaziv me qëllim infiltrimi, kapje të pozicioneve kyçe përgjatë Lumit Ibër, dhe krijimi të një koridori për depërtim të këmbësorisë dhe makinerisë së rëndë. Synimi ishte të krijohej një situatë e faktit të kryer, ku ndërhyrja e KFOR-it do të shërbente si bazë për negociata mbi aneksimin e Veriut nga Serbia ose strukturat serbe lokale. Ky plan u dekonspirua përmes një thirrjeje telefonike në Qendrën e Thirrjeve Operative të Policisë së Kosovës, në të cilën u vra një, dhe u lëndua një zyrtar policor, por gjithashtu u zbulua njëherësh edhe plani i rrezikshëm i koordinuar nga Serbia kundër integritetit territorial të Kosovës. Megjithatë, as për këtë rast nuk u bë një hetim serioz, as nuk u hartua ndonjë raport AAR (After Action Review), dhe politikisht nuk u mbajt askush përgjegjës. U bë e qartë se, për aq kohë sa skenarët nuk e cenojnë sigurinë globale, do të heshtet edhe ndërkombëtarisht. Sot shtrohet pyetja: kush e dekonspiroi turneun e pelegrinazhistve ushtarak serb me petkun e klerikëve dhe përse, kësaj here, nuk u ngrit askush në mbrojtje të tyre, sikur në rastin e “Banjës ’23”, kur përmes mediave u përkrahën nga truri i inteligjencës jugonostalgjike – ujdisti Veton Surroi – dhe Metropoliti i Rashkës e Prizrenit? A do të kthehet edhe kjo ngjarje në një skenar të tipit casus belli, që do ta detyrojë Kryeministrin Kurti të lirojë pelegrinët-ushtarakë serbë pas përmbushjes së formaliteteve, apo do të jetë kjo një mundësi për një pendesë “moisigolemiane” nga vetë Kurti – që të fillojë spastrimin përfundimtar të këtyre strukturave që po e minojnë sigurinë e Kosovës dhe po pengojnë zhvillimin tonë si shtet demokratik? A do të mundemi, përmes këtyre aksioneve, të identifikojmë objektet religjioze, misionin e tyre të vërtetë, dhe si të tilla, t’u hiqet statusi i Kishave Ortodokse – që janë pronë e Kishës Serbe me seli në Dedinje – dhe që ndodhen nën hierarkinë e Sinodit Rus, gjithashtu me seli në Dedinje të Serbisë? Shumë do ta dëshiroja që Albin Kurti të ishte në këtë mision. Petku fetar nuk mbulon dot krimin, por e shndërron atë në doktrinë. Kisha Ortodokse Serbe nuk shërben si tempull i shpirtit, por laborator i urrejtjes, ku kombinohen mitologjia, spiunazhi dhe strategjitë e shfarosjes kulturore. Kosova nuk do të jetë e sigurt, derisa manastiret që fshehin armë e kriminelë, të mos çmitizohen dhe të ndahen nga çdo status i shenjtë – sepse aty ku fshihet e keqja nën emrin e Zotit, fillon ferri në këtë tokë./QendraPress/