Nivele të larta të hormonit të stresit, cilat janë simptomat që mund t’i kemi?

              Kortizoli është një hormon steroid i prodhuar nga gjëndra mbiveshkore, e që njihet si “hormoni i stresit”.Kortizoli i ka disa funksione, ku së pari rregullon ciklin gjumë-zgjim. Nivelet e kortizolit në mëngjes janë të rritur me qëllim që organizmi të përgatitet për t’u zgjuar nga gjumi.

Kortizoli e frenon po ashtu inflamacionin, pra luan rol të rëndësishëm për mbrojtjen nga infeksionet.

Por, ka gjendje kur niveli i kortizolit është i rritur e që quhet hiperkortikozolemia ose i ulur, hipokortikozolemia.

Endokrinologu Agron Spahija në podcastin “Shëndeti në rend të parë” sqaron se hiperkortikolezmia manifestohet me disa simptoma.

“Së pari kemi shtim të peshës, depozitim të indit dhjamor në bark dhe fytyrë, një plogështi muskulore, kryesisht në ekstremitetet, personat e tillë janë shumë të ndjeshëm ndaj infeksioneve, stria në lëkurë, etj”, tha ai.

Ndërkaq, sipas tij hipokortikozolemia është gjendje ku niveli i kortizolit ulet në gjak.

“Është një gjendje e rëndë, karakterizohet me lodhje, plogështi të përgjithshme, rënie në peshë, hipotension, etj”, tha ai.

Pjesën ku doktor Spahija flet për kortizolin, shkaktarët e rritjes ose uljes së kortizolit, simptomat e diagnostikimin mund ta shikoni nga minuta 25:50. /Telegrafi/