Një 17 vjeçar gjendet pa shenja jete në fshatin Ujz të Gjakovës

Një 17 vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Ujz të Gjakovës.

Lajmin e ka konfirmuar drejtor i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

Graishta ka treguar se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 10:20.

“Rreth orës 10:20 është raportuar se në fshatin Ujz-Gjakovë, në shtëpinë e tij viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Nga familjarët, viktima është dërguar në spitalin rajonal ku është konstatuar vdekja e tij”, ka thënë Graishta.

Ai ka shtuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, kanë thënë për Telegrafin se rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

“Me të marrë informacionin nga ana e policisë, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. Janë duke u ndërmarrë të gjitha procedurat hetimore lidhur me këtë rast”, ka deklaruar Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë e Gjakovës.

Lidhur me këtë rast policia ka njoftuar edhe përmes raportit 24 orësh.

“Raportohet se në Spitalin e Gjakovës është sjellë pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, është thënë në raport.