Një garë e mbyllur, një rrugëtim që  vazhdon!-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA.

Të nderuar votues, përkrahës dhe bashkudhëtarë të rrugëtimit tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës! Fushata elektorale dhe procesi i numërimit janë përmbyllur dhe qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre. Me respekt e mirënjohje të thellë, ju drejtohem sot, për t’iu falënderuar për votën tuaj dhe për besimin që ajo përfaqëson. Votat që m’i keni dhënë janë një mesazh i qartë i mbështetjes, i besimit dhe shpresës, i angazhimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën. Prandaj, çdo votë e juaja është një vlerësim i lartë dhe një përgjegjësi e madhe që e gëzon respektin tim. Krahas falënderimit për të gjithë ju, për PDK-në dhe lidershipin e saj për mundësimin e garimit e përfaqësimit politik, është moment ky edhe për të reflektuar. E dimë që rruga e ndryshimit nuk është e lehtë dhe se çdo betejë politike ka sfidat e saj. Historia na ka treguar se përparimi nuk vjen si dhuratë, por si rezultat i punës, organizimit, sakrificës, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë. Megjithatë, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ishte ai që synuam në rrafshin partiak e personal. Sfidat e brendshme veç sa e thellojnë krizën me të cilën duhet të përballemi. Ky rezultat na thërret në përgjegjësi secilin prej nesh, ndaj secilit nga ne dhe nga të gjithë ata që bartën barrën e kësaj fushate. Një analizë pas veprimi do të nxjerrë në pah “mësimet e mësuara” – shkaqet që penguan fitoren e domosdoshme, të karakterit etik të vetë betejës elektorale, mbajtjes së unitaritetit partiak dhe ruajtjes së besimit qytetar nga tjetërsimi dhe minimi nga mendje të ngushta. Në “luftën politike” çdoherë ekzistojnë grupe interesi e individë që nuk zgjedhin mjete për të arritur qëllimin, duke vepruar përmes fushatave të pandershme, duke shpërndarë dezinformata dhe duke përdorur taktika jo korrekte. Kjo pastaj krijon atmosferë të pasigurisë dhe keqkuptimeve që na dëmtojnë ne, procesin dhe subjektin. Këso veprime janë pengesë e madhe për ecjen përpara dhe për avancimin e politikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Përmes një APV – Analize Pas Veprimi, duhet identifikuar se: çfarë u planifikua; çfarë u arrit; çfarë nuk u realizua; cilat ishin shkaqet dhe shkaktarët e mosarritjes; riorganizimi e riplanifikimi i suksesit na mundësojnë një asanimin të menjëhershëm të situatës. Ky riplanifikim i suksesit duhet të bëhet përmes pyetjeve magjike të politikës: a e bëmë atë që ishte e mundur? A vepruam në formën e duhur si ekip? A komunikuan vlerat tona mjaftueshëm me qytetarët? A ishim dëgjues aktivë për shqetësimet e tyre dhe a ofruam zgjidhjet e duhura? Këto janë pyetje që nuk mund t’i anashkalojmë, sepse vetëm përmes reflektimit korrekt mund të mbajmë një PDK më të fortë dhe më të gatshme për sfidat e së ardhmes. Ne nuk do të ndalemi! Kjo është veç një thirrje për t’u zgjuar, për të punuar më shumë dhe për të qenë më të qartë në vizionin tonë. Puna jonë do të vazhdojë, sepse e ardhmja nuk është vetëm një ëndërr, por një përgjegjësi që e marrim mbi supe me vendosmëri e qëndrueshmëri të palëkundur. Nuk do të lejojmë që asnjë pengesë të na ndalë. Përkundrazi, do ta shohim çdo sfidë si një mundësi për të rritur forcën dhe unitetin tonë. Kjo është një betejë për një vizion, për një ideal, për një mision që nuk njeh lodhje. PDK-ja është dhe do të mbetet forca shtetformuese e Kosovës. Ky status na ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, për të dëshmuar se jemi të denjë për besimin e qytetarëve. Ne duhet të dëgjojmë më shumë, të veprojmë më shpejt dhe të punojmë më afër me njerëzit. Sot nuk është fundi i këtij rrugëtimi. Jo! Është vetëm një kapitull në një histori më të madhe. Fitorja e PDK-së në nivel vendi do të kërkojë më shumë përkushtim, më shumë guxim dhe mbi të gjitha, më shumë bashkim rreth vlerave tona të përbashkëta. Ky është momenti kur secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë që i takon dhe të angazhohet më shumë për të sjellë ndryshimin që qytetarët e Kosovës presin nga ne. Ju falënderoj nga zemra për besimin, për mbështetjen, për durimin dhe për guximin që tregoni çdo ditë. Por ju bëj edhe një thirrje: le të reflektojmë dhe le të punojmë më fort, sepse fitorja nuk është vetëm një dëshirë, por një mision që kërkon punë të palodhshme nga secili prej nesh. Le të ecim përpara së bashku, të vendosur, të bashkuar dhe të pandalshëm, sepse e ardhmja na përket, nëse e meritojmë atë. Zoti para, ne mbrapa – fitorja është jona! 327/QendraPress.com/