Një shoqëri ku luksi e tejkalon mundësinë financiare/ Shkruan; Gëzim AJGERAJ,shkrimtar e analistë politik.

Pse ndodh kjo?
Në shoqërinë e sotme, shumë njerëz tundohen nga ideja e pasurimit të shpejtë dhe shfaqjes së një stili jetese luksoz, edhe kur mundësitë e tyre financiare nuk e mbështesin këtë.
Kjo ndodh për shkak të disa faktorëve kryesorë:
Presioni social dhe mediat sociale
Të shohësh një jetë të përpunuar dhe të “përsosur” në mediat sociale krijon presion për të imituar këtë stil jetese, duke ndjekur trendet e fundit dhe duke blerë produkte të shtrenjta për të qenë “në hap me kohën” apo edhe nje etje e një mentaliteti për t’u shitur me shtrejt para rrethit shoqëror.
Mentaliteti i “të pasurit për të parë”
Shpesh, njerëzit mendojnë se statusi social matet me gjërat materiale që zotërojnë.
Ky mentalitet i çon ata drejt shpenzimeve të tepërta për produkte si makina luksoze, veshje me markë, orë të shtrenjta, ose pajisje teknologjike të fundit, vetëm për të bërë përshtypje te të tjerët apo për t’u dukur në shoqëri. Dhe ky lloj mentaliteti, krijon idenë se duke u dukur i tillë ti krijon respekt e privilegje. Një mendim i vrazhdë e i gabuar!
Mungesa e edukimit financiar
Po, se po shpesh mungon një kuptim i thellë i parimeve bazë të menaxhimit të parave, si kursimi, investimi, dhe shmangia e borxheve të panevojshme.
Kjo i bën njerëzit të bien pre e marketingut dhe e ofrimit të kredive, duke i zhytur në borxhe afatgjata që qojnë thellimin e krizave familjare me pasoja edhe të tjera më pastaj.
Si mund të shmanget kjo?
Për të ndryshuar këtë mentalitet dhe për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme financiarisht, ne mund të:
Përqendrohemi te vlera e brendshme
Të kuptojmë se lumturia dhe sukseset nuk maten me sa para kemi apo sa gjëra luksoze blejmë, apo si i ofrohemi tregut vizual shoqëror, në “marketingun” fallso pa një bazë të mirfilltë edukative dhe ekonomike.
Përmirësojmë edukimin financiar
Njohuritë financiare janë thelbësore për të marrë vendime të zgjuara.
Të mësojmë të bëjmë buxhetin, të kursejmë për të ardhmen, dhe të investojmë me mençuri, dhe të krijojme edhe rezerva afatgjate në bugjetin individual.
Jemi më realistë
Të vlerësojmë situatën tonë aktuale financiare dhe të vendosim qëllime të arritshme.
Të mos krahasohemi me të tjerët, por të përqendrohemi në përmirësimin e gjendjes sonë financiare pa u marre me “virusin e një mentaliteti ko” që të krijojme dukje e imazh tek të tjerët. Sepse është më e rëndësishme që kapitali yt të jet i përqëndruar në konton tënde, se sa në etjet dhe tregun e dukjes vizuale tek të tjerët. Kjo përvojë mungon shum përgjithësisht ktu tek ne, dhe investimet e shpenzimet shpesh ikin në drejtimin e gabuar, që qojnë edhe në rrezikimin e ekonomisë familjare.
Le të shpresojme se edhe kjo fazë do të jet një tranzicion brenda shoqëris sonë dhe do të kaloi shpejtë!
Prizren 2025/QendraPress/