NJË VËSHTRIM I SHKURTËR PËR POEZINË E POETIT TË NJOHUR QAZIM THAÇI-Shkruan:LLesh GJOKA shkrimtar e kritik letrar

Poezia e poetit të njohur Qazim Thaçi tashmë ka shumë lexues. Ai, jo vetëm krijon por edhe promovon rregullisht shumê poetê të trevave të ndryshme shqiptare përmes platformës së tij virtuale Qendra Press. Poezia e krijuar prej tij të prek menjëherë si një dorë e shenjtë alkimike, e aftë për të gjeneruar emocione të fuqishme të shpirtit të njeriut të lidhur ngushtë me tokën e tij të dashuruar. Bash aty, poezia gjen pjalmin nga lëndinat e bukura, ku vendlindja shpaloset me të gjitha hiret. Atdheu dhe heronjtë madhështohen nga rënia heroike dhe idealet e lirisë. Poeti është bardi i kulluar i fisit të trimave që shkruan faqe lavdie për lirinë e Kosovës por edhe i ndjenjave të pastra të dashurisë njerëzore. Siç e thotë edhe poeti rus, Jevtushenko, poezia për një poet është biografia e tij. Parë në këtë këndvështrim, në çdo poezi ndihet marëdhënia me kohën dhe përjetimet individuale dhe sociale. Vargjet e këtij poeti të rrëmbejnë si flatrat e shqipes në kaltërsinë e qiellit të përskuqur të Kosovës; të bëjnë të kundrosh sa të bukur janë viset e atdheut për lirinë e të cilëve u derdh shumë gjak. Poezia e tij është një formësim estetik i natyrtë ndjesish, herë me një ton më të fortê si kushtrimi, herë më të butë si fllad dashurie. Është një gurgullimë e pastër midis epizmit dhe lirizmit. Poezia e poetit Qazim Thaçi nuk është një poezi e kallëpëve të ngurta hermetike, as lojë abstrakte mendimesh e idesh poetike. Ajo shpërfaqet si imazh i drejtpërdrejtë, ku mjetet e përdorura dhe detajet artistike e vezullojnë me ngjyrat e një kaledioskopi. Të shkruash është një zeje shpirti dhe këtë poeti e shembëllon si një artist i vargjeve, si një qëmtues i hollë i fjalës së bukur. Kjo duket qartazi edhe te poezia: “Sytë e tu kanë qartësinë e qiellit”. Dashuria si lajtmotiv, i ngjizet vargut nga detaje jo rastësore. Sytë e së dashurës shndërrohen në kamerën poetike të poetit. Kanë shkruar shumë poetë poezi për sytë e të dashurës , por më shumë si detaj lirik, erotik dhe estetik. Këtu sytë e të dashurës hapen si një horizont fushëpamjesh për të parë jo vetëm një dashuri çasti por udhëtime dhe vazhdimësi jete, ku spikat malli, dashuria, admirimi i bukurive të vendlindjes. Mëtejshëm ndjehet dhembja e moteve të shkuar, ngulitja e besës si mishërim shpirtëror. Kujtimet e dashurisë nuk mungojnë të vijnë siç vjen një fenomen natyror, si shiu, kur ajo konsiderohet e shenjtë aq sa betimi mbi biblën dhe kuranin. Vlerat e kësaj poezie duken edhe te injektimi që i bën poeti shpresës për të nesërmen, duke e ndriçuar me togfjalëshin “ditë e re”. Le të përjetojmë vargjet e mrekullueshme dhe të ngrohta të kësaj poezie: Sytë e tu kanë qetësinë e qiellit Sytë e tu kanë qetësinë e qiellit Kur sodisin yjet si luajnë mallshëm Për lojën e detit dhe mallin e vendlindjes E prapë mbeten si kujtim për një ditë të re Në stinën e luleve marrin aromë bajamesh Për të ruajtur dhembjen e moteve E për të gravuar besën si të vetmin kujtim Në dashurinë e moshës plot kuptim Kur pulëbardhat ulët fluturojnë, sjellin shiun Jo si harrim, por kujtim dashurie. Në përmbyllje, i urojmë poetit të nderuar, Qazim Thaçi, të ketë prurje të reja në poezi, me cilësitë specifike dhe vlerat e padiskutueshme që e karakterizojnë si poet./QendraPress/