Opinion- Ai që lufton për para është në gjendje t’i bëjë të gjitha të këqijat mbi këtë tokë-Shkruan;Bashkim HOXHAJ, analistë politik dhe veteran

Ai që lufton për para; që rrezikon jetën e vet për para, që e ndihmon luftën çlirimtare për para… është në gjendje t’i bëjë të gjitha të këqijat mbi këtë tokë për para. Mercenarët gjithmonë kanë ekzistuar. Ata luftojnë për këdo që i paguan. Prandaj nuk është çudi kur dëgjojmë se këto kategori shpesh lidhen me krimin, me bandat, me mafien, me drogën dhe me të gjitha veprimtaritë e tjera që bien ndesh me ligjin, me rendin shoqëror dhe me veprat johumane.

* Një shpirt i shitur është në gjendje të shesë edhe atdheun.

* Një person që fut kokën në torbë dhe lufton për para, është në gjendje ta fusë edhe kombin e tij në torbë për para.

* Ai që lufton në atdheun e vet për para, nuk e ka problem të luftojë edhe për vende të tjera dhe për kauza të huaja, po ashtu për para.

* Ai që “nuk lufton” për kauzën e popullit të tij “pa para”, lehtësisht mund të luftojë për interesat e armiqve të popullit të tij “për para”.

Karakteri i një mercenari është karakteri i një shpirti të shitur, i një pazarxhiu të kokës së tij, i një tregtari të jetës për përfitime financiare. Këta tipa nuk kanë ideal; njohin vetëm interesin financiar. Nuk mërziten për atdheun dhe jetën e njeriut, aq sa preokupohen për mënyrat e përfitimeve në kurriz të fatkeqësive kombëtare dhe njerëzore.

Lufta çlirimtare bëhet për një ideal, për liri, për mbrojtjen e jetëve të pafajshme njerëzore, për të mos lëshuar atdheun në dorë të pushtuesit… Njerëzit patriotë janë të gatshëm të vdesin në çdo kohë për kauzat e shenjta të atdheut.

Gra, burra, djem e vasha atdhetare, që nuk i shmangen kurrë rrezikut për jetën kur u cenohet liria, bashkëkombësit dhe atdheu, ekzistojnë gjithmonë në secilin kontinent, shoqëri e popull – ku më shumë e ku më pak: varësisht prej shkallës së vetëdijes kombëtare që kanë./QendraPress/