Opinion-Paaftësia në kuvendet komunale bëhet pengesë për zhvillimin lokal, nëse qytetari voton të paaftit -Shkruan ;Bashkim Hoxhaj, veteran I UÇK-se dhe analistë politik

Zgjedhjet lokale janë një nga format më të drejtpërdrejta të përfaqësimit qytetar. Përmes tyre, ne zgjedhim njerëzit që do të vendosin për çështjet më jetike të përditshmërisë sonë: shkollat, çerdhet, shëndetësinë, infrastrukturën, ambientin, investimet publike, zhvillimin urban dhe shumë të tjera.
Për fat të keq, gjithnjë po ndodh që, në listat zgjedhore për kuvendet komunale përfshijnë “edhe individë” që nuk kanë as përgatitjen, as vizionin, as vullnetin për të përmbushur këtë përgjegjësi.
“Kur një i/e dobët nga aspekti intelektual, politik apo menaxherial dhe merr mandat në një kuvend komunal, ai/ajo shndërrohet në pengesë reale për zhvillimin lokal”.
Mungesa e aftësisë për të analizuar dokumente, për të kuptuar çështje buxhetore, për të ngritur zërin në mbledhje apo për të propozuar ide konkrete, e bën atë thjesht vetëm një votues të heshtur dhe të të komanduar në asamble që rrallë ose kurrë nuk përfaqëson interesin e qytetarit.
Në të shumtën e rasteve përzgjedhja e këtyre individëve nuk ndodh për shkak të meritës. Ndodh për çështje lidhjesh personale apo interesa të ngushta grupore.
Të jemi të vetëdijshëm, kandidatë të tillë nuk ndryshojnë diçka në të mirë të qytetarit nëse zgjidhen. Ata ruajnë status-quo’në, që shkon në favor të udhëheqjes së ngushtë partiake, fundja për atë punë janë përzgjedhur për të qenë aty.
Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, kuvendet tona komunale shpesh shndërrohen në institucione formale, pa ndikim real ku vendimet kalojnë me një ngritje dore pa një analizë mirëfilli. Kjo pastaj po përkthehet në vendime të dobëta, investime të gabuara, mungesë transparence dhe zhgënjim të vazhdueshëm të qytetarëve.
Mirëpo, përgjegjësia është edhe te ne, qytetarët. Nuk jemi pa faje jo.
– Kemi të drejtë të kërkojmë më shumë informacione, por jo të pyesim “kush më paguan për votën”! Jo ta shesim votën për një kafe, sepse tek e fundit kjo është dhe e kundraligjshme, mund të përfundojmë si të penalizuar.
Kemi të drejtë të interesohemi kush është ky kandidat? Çfarë përvoje ka? A ka ide konkrete për komunën? A ka integritet? A ka qenë i zëshëm për çështjet lokale?
Nëse përgjigjet janë të paqarta ose negative, atëherë ai nuk meriton votën tonë, pavarësisht partisë që e propozon.
Një gjë të thjeshtë duhet ta kuptojmë: asambleisti/ja komunal/e është një vendimmarrës/e për jetën tonë të përditshme. Nëse zgjedhim keq, vuajmë të gjithë. Por nëse zgjedhim me kujdes, ndërtojmë një komunë më të mirë, më të drejtë dhe më funksionale.
Të mos e shpërdorojmë këtë të drejtë. Të mos i japim mandat të tjerëve për të dështuar në emrin tonë/QendraPress/