Osmani cakton 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftimin për media.

Ky akt ligjor është një hap i rëndësishëm në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit.

KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.

Presidentja kishte afat që brenda 30 ditësh të shpallte datën për mbajtjen e seancës. Në të kundërtën, sipas Rregullores të punës së Kuvendit të Kosovës, Parlamenti do të mblidhej vetë në ditën e 30-të.

Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.

Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin, ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese. Partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Ndërkaq nënkryetarët propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.

Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Sipas Rregullores së Kuvendit ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë. /Telegrafi/