Osmani në fjalimin vjetor flet për Veriun: Bandat kriminale do të përballen me drejtësinë, nuk do të ndalemi për rend dhe ligj 

                            Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, vitin që po e lëmë pas e ka konsideruar si vit me rrethana të jashtëzakonshme dhe me zhvillime sfiduese për vendin tonë. Osmani tha se Kosova këtë vit është hapur për botën, duke treguar se është vend i potencialit dhe një shtet partner paqedashës e i besueshëm.“Po ju drejtohem në prag të përmbylljes së një viti me rrethana të jashtëzakonshme dhe me zhvillime sfiduese.Janë qytetarët tanë që gjithnjë konfirmojnë se kur krijohen kushtet e duhura, suksesi është gjithmonë i sigurtë. Këtë na kanë dëshmuar me arritjet në art, shkencë e kudo tjetër. Këtë vit e kemi hapur Kosovën për botën përmes forumeve e ngjarjeve globale. Në secilin rast ne i treguam botës se Kosova është vend i potencialit dhe një shtet partner paqedashës e i besueshëm.Gradualisht e me hapa të sigurtë po lëvizim nga fjalët në vepra. Dje nënshkruam aplikimin për anëtarësim në BE që dorëzohet sot, ndërkaq kemi aplikuar edhe në Këshill të Evropës. Mbi të gjitha gjatë këtij viti jemi munduar ti ruajmë e thellojmë miqësitë dhe kemi punuar në fuqizimin e partneritetit me aleatët tanë”, tha Osmani.Ajo foli edhe për zhvillimet në veri, duke thënë se Kosova është e vendosur që si kurrë më parë të krijojë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të vendit, shkruan Reporteri.net.Osmani tha se bandat kriminale në veri do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe ndaj kërcënimeve të vazhdueshme ndaj qytetarëve tanë në veri.“Ne çdo ditë të këtij viti kemi këmbëngulur që shteti dhe ligji të mos u shërbejnë disave por të gjithëve. Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të vendit. Bandave kriminale nuk ju pëlqen kjo, por mbi të gjitha nuk ju pëlqen luftimi i krimit dhe korrupsionit.Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe ndaj kërcënimeve të vazhdueshme ndaj qytetarëve tanë në veri. Vuçiqi le ta dijë se prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund përgjithmonë më 1999. Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit në veri të vendit është përpjekje edhe për mbrojtjen e qytetarëve serbë nga bandat kriminale. E kemi obligim kushtetues. Serbia duhet ta kuptojë përfundimisht është shtet dhe i tillë duhet të mbetet përgjithmonë”, tha presidentja OsmaniOsmani foli edhe për luftën në Ukrainë duke shtuar se kjo luftë tregon se akomodimi i autokratëve dhe atyre që kanë tendenca hegjemonike asnjëherë nuk është rruga e duhur“Kjo luftë po tregon se akomodimi i autokratëve dhe atyre që kanë tendenca hegjemonike asnjëherë nuk është rruga e duhur. Ukraina po e dëshmon sot si Kosova më 1999 se askush nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për liri. Populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës e së keqes, agresorit e viktimës. Kosova ka zgjedhur gjithnjë të qëndrojë në anën e drejtë të historisë”, tha Osmani. /Reporteri.net