Osmani në kullën e Haradinjave për Epopenë e Dukagjinit, i pranishëm dhe Rifat Jashari

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.
Pas homazheve ajo qëndroi edhe Kullën e Haradinajve ku u prit nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Në kullë ndodheshin edhe Rifat Jashari e Bekim Jashari e shumë familjarë të dëshmorëve, por edhe bashkëluftëtarë. Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete në atë që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit. Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00-12:00 dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00. Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. /Kp/